Krijimtari

Poeti Profet - Nga Vangjush Ziko

Vangjush Ziko

Përmes shkretëtirës përvëluese, mes dunave të rërës së nxehtë, nën një diell që përvëlon si saç, ec një qenie njerëzore. Mos është një udhëtar që ka humbur udhën? Mos është një mëkatar i dënuar me vuajtje të përjetshme? Mos është një ëndërrimtar, që kërkon të gjejë oazin e lumturisë mes kësaj shkretëtire? Mos është...

Një engjëll, një serafim i dërguar nga Zoti si një re e bardhë zbret nga qielli dhe ndalon përpara tij duke shtrirë krahët. Shtegtari i shkretëtirës shtang i befasuar! Engjëlli i prek lehtë me gishtat e tij kapakët e buhavitur e të rënduar nga drita dhe vapa verbuese dhe bebëzat e syve të shtegtarit dridhen si sytë e një shqiponje të trembur...Sytë e shtegtarit shikojnë qiellin e mbushur me engjëj fluturues, ai sheh në fund të deteve peshqit që lëvrijnë, kundron lastarët e gjelbëruar dhe ndien tingujt e zhurmshëm, që vërshojnë në qenien e tij, ndien e gëzon tërë ato që nuk i ndiente e nuk i shijonte më parë, para syve të tij ringjallet dhe lëvrin jeta; shkretëtira përvëluese nuk është më...

Serafimi prek buzët e tij e i shkul gjuhën mëkatare dhe llafazane, që ka mallkuar jetën dhe fatin e vet, ka nëmur shkretëtirën, që e rrethonte edhe Zotin lart në qiell ose nuk e ka njohur fare atë. I shkul gjuhën, që është gati të shqiptojë lajka dinake dhe profeci profane dhe, në vend të saj, i ngul thumbin e mençurisë, që me fjalë të hidhura farmak të dënojë këtë endje të verbër dhe të shurdhër nëpër shkretëtirë, këtë vulgaritet dhe naivitet neveritës, këtë injorancë shkretëtire që e mban njeriun skllav të përvëlimit e të mëkatit...

Më në fund, engjëlli i çan gjoksin me shpatën e tij të larë dhe i shkul zemrën e ligështuar e të akulluar e, në vend të saj, i fut një thëngjill të zjarrtë, të ndezur... Kaq mund të bënte engjëlli me kufomën e shtrirë në mes të shkretëtirës përvëluese, më shumë ai nuk kishte fuqi.

Më tej...Këtë endacak të shkretëtirës, këtë shtegtar, që nuk është më i verbër e i shurdhër, që nuk është më memec e zemërakull, Zoti që nga qiejt e lartë e pagëzon me një emër të ri, PROFET...

Ishte vetëm një perifrazim imi i poezisë “Profeti” të poetit të madh rus, A. S. Pushkin. Poeti Profet i Pushkinit është poeti gjeni qe zbulon misteret e zemrës dhe të shpirtit njerëzor, misterin e frymës kombëtare, misterin dhe magjinë e gjuhës, parathotë mendime e ndjenja të pathëna e të pazbuluara, që “përvëlon zemra njerëzish” dhe i fton këta të shijojnë bukuritë e natyrës e të shpirtit, të çajnë “mes valëve të detit të jetës”, që shpirti i tyre të mos njohë “ç'është kalbëzimi” e t'i binden “veç urdhrit të Zotit”.

Nga libri "PËRSIATJE"