Krijimtari

Bota e librave dhe një pyetje ekzistenciale - Flurans Ilia

Shpesh e pyes veten, kjo puna e të qenit artist është një përzgjedhje të cilën duhet ta kërkosh me ngulm, vullnet e disiplinë, apo vjen të gjen ashtu papritur dhe e ke gjithmonë me vete si shumica e pikëpyetjeve ekzistenciale që shtrojmë përgjatë jetës?

Mendoj se janë të dyja. Kur isha i vogël mbaj mend se merrja gurët e drunjtë të lojës së shahut dhe me ta krijoja kastin e parë të aktorëve apo personazheve të cilët i drejtoja sipas subjektit që kisha në mendje. Dialogje të cilët i krijoja vetë natyrisht duke e ndryshuar intonacionin e zërit nga një personazh te tjetri. Lufta e Trojës për shembull, dekoret; Kështjellën e kisha bërë nga një kuti kartoni këpucësh dhe përkrenaret e ushtarëve nga tapat prej alumini të shisheve të qumështit të asaj kohe. Më vonë u bëra edhe vetë një personazh, te filmi Tomka.

Kur hyra në bankat e shkollës u njoha me atë opus të pafund personazhesh që dilnin nga bota e librave. Nuk e di si qysh dhe tek, por pa mësuar ende të lexoj, ime ëmë më lexonte fragmente nga "Iliada" dhe "Don Kishoti". Ka punuar gjithë jetën edukatore kopshti mamaja. Im atë ndjesë pastë, që nuk pata fatin ta njoh për së gjalli, kishte qenë gjithashtu gazetar dhe mësues e na kishte lënë një bibliotekë të pasur për kohën. E vetmja gjë me vlerë që trashëguam nga ajo kohë. Ato libra ishin si të krijoje urën e dialogut të nevojshëm me babain e munguar. Kështu që, dëshira për të shkruar as nuk zbriti nga qielli por as nuk tentova të shkoja gjëkundi për ta kërkuar. Kishte qenë përherë aty së bashku me fëmijërinë time. Duhej t’i gërvishje pak plagën për ta bërë gjakun e mbledhur të rrjedhë lirshëm.

©Flurans Ilia