Si lis që e krasit sëpata - Nga Janaq Pani
Meditim
Nga emocionet jeta më xhveshi
E nuk e di se ç'i kam bërë,
U soll me mua ashtu si deshi
E si kërcu do të më lërë.
Me të u ndesha me aq sa munda
Të mbetem në çdo qelizë njeri,
E shpesh në ëndrra u përkunda
Si pemë me gjelbërim të ri.
Po jo, o njerëz, nuk qe e thënë
Se fatin tim në dorë s'e pata,
E shoh, kam mbetur sot në këmbë
Si lis që e krasit sëpata.
U rrita në jetën kolektive
Me shpirt rrënuar nëpër mote,
Eh, partiak, jetën ma nxive
E pas na ndjek kjo hija e jote.
Kjo hija po na tremb gjithçka
E ogurzezë na ndjek pa kthim,
Ndaj e ndjej shpirtin që u tha
Dhe këtu larg në emigrim.



