Christmas me Vivaldin - Nga Sami Milloshi
Sami Milloshi - SHBA
Tregim
- Çfarë dhurate do të të bëj për Christmas? - e pyeta të dashurën.
- Asgjë - tha ajo - vetëm dua që të dy bashkë të prekim “Katër Stinët” e Vivaldit.
- Kaq pak - u habita unë – “Katër Stinët” e Vivaldit zgjasin vetëm dyzetenëntë minuta, po pastaj çfarë do të bëjmë?
- Aq zgjasin - tha ajo - vetëm dyzetenëntë minuta, por ne nuk do ta marrim vesh kohën.
- Po si? - pyeta unë gjithë kureshtje.
- Më ndih të më çosh në holl tek pianoja - kërkoi ajo.
E mora për dore dhe iu drejtuar hollit, aty ku ishte pianoja. Ia afrova poltronin e pianos. U ul.
Hapi kapakun e pianos.
- I kam gishtat e ftohtë- më tha. Nuk më binden për Vivaldin...
- T'i ngroh unë - i thashë.
Ia mora pëllëmbët dhe i vura në gjoksin tim. Fillova t'ia ngroh me frymën time.
As nuk e mbaj mend se sa zgjati kjo ngrohje. Sepse m'u duk sikur koha e pare, “Pranvera” e Vivaldit kaloi dhe nuk e ktheva kokën për të parë orën e murit.
- Tani jam gati - tha ajo. - Tani do të dëgjosh tingujt e parë.
- Prit - i thashë - dua të të ngroh edhe supet dhe shpatullat. Dhe fillova t'i përkedhel supet si ajo vesa e mëngjezit mbi barin e njomë të rudinës.
Si mbarova me përkedheljen e supeve të saj të brishtë, thashë me vete se tashmë ajo ishte gati të godiste tastierën me gishtat e saj të hollë. Mollëzat e gishtave i ka të ndezura prush, i thashë vetes. Por as e kuptova sa zgjatën ledhet e supeve, sepse, për çudi ora e murit qe zhdukur krejt. Nuk di se si futuroi...
- Je gati tani? - e pyeta.
- Jo – tha - nuk jam, ti vetë i ke ende gishtat e ftohtë. Nuk luhet Vivaldi kështu....
Dhe heshti. Çfar t'i thosha? Më shashtisi.
- Nuk jam unë ai që do ta luajë Vivaldin - i thashë. - Je ti.
- Vivaldi i ka bërë “Katër Stinët” për dy njerëz - më tha - jo për një. I ka bërë për një që prek tastierën dhe për një që prek tingujt. Prandaj eja këtu të të ngroh pëllëmbët...
Ia dhashë duart. I vuri në gjoksin e saj dhe filloi të m'i ngrohë me atë hukamën e frymës së saj. Më ngjante vetja si ai foshnja i njomë që pi qumështin e valë në gjirin e mëmës kur i jep të pijë.
Nuk e vura re sa zgjati ngrohja e gishtave të mi, por ndoshta po të kishte filluar të luante Vivaldin, ajo do ta kishte mbaruar e kohën e fundit, Stinën e Dimrit...
Kishte zbardhur drita dhe Krishti kishte lindur. Dhe unë i kisha duart të ngrohta...
- Po tani - i thashë - a je gati ta luash Vivaldin?
- Tani jam - tha ajo me ngashërim - sepse u verbova për ty.
Dhe ashtu e verbër, filloi të luajë në ag “Katër Stinët” e Vivaldit.
Nuk kishte gjë më të bukur se sa të dëgjoje një të verbër duke luajtur Vivaldin.
©Sami Milloshi



