Krijimtari

Heroi - Tregim nga Sami Milloshi

Kur zonja Katherinë na dërgoi E-mailin e parë të ditës ne punonjësve të bibliotekës, në bibliotekë nuk kishte këmbë lexuesi. Vetëm tre katër punonjës që stërmundoheshim shumë për të hapur pakot postare që kishin mbërritur. Kur ndodhte që e hapja unë ndonjë zarf, i jepja hapjes së zarfit një hije solemniteti, a thua se biblioteka jonë kishte marrë një çek miliona dollarësh që ne do ta ndanim mes nesh. Diçka heroike, si të thuash. Por, E-maili që morëm sot ishte solemn e shkuar solemnitetit.

Pak a shumë zonja Katherinë na bënte me dije se në banjon private të arkivit të bibliotekës kishin shpërthyer ujrat e zeza dhe se për këtë shkak mund të demtoheshin shumë botime antike, midis të cilëve edhe botimi i parë i Hamletit të Shekspirit...

Kur e lexova atë rrjesht për Hamletin, sikur më ngriu zemra. Por, zonja Katherinë e mbyllte E-mailin e saj me një ton optimist dhe na tregonte fije për pe se si qenë përkushtuar, hidraulikët, ata të shërbimit të ndërtesave, që gjëma të mos ndodhte.

Shkurt zonja Katherinë përmendtte një për një të gjithë ata që e parandaluan përmbytjen e arkivit: zonjën Maria, shefen e departamentit të shërbimit të ndërtesave, zotin Peter, supervizorin e hidraulikëve dhe vetë hidraulikët, Romeon dhe Alvaron.

E-maili mbyllej me fjalët "Ju jeni heronjtë e mi".

E lexova dy tre herë atë fjali, po nuk arrija të kuptoja se çfarë lidhje ka heroizmi me një zhbllokim të zakonshëm të një banjoje, kur për shkak, ndoshta të mutit të madh dhe ujit të pandërprerë, shpërthejnë ujrat e zeza... Aty për aty i thashë vetes se ndoshta zonja Katherinë ka dashur të na dhurojë një ndjenjë mirënjohjeje në këtë kohë të dëshpërimit të madh prej pandemisë.

Kur pata rastin ta takoj ballëpërballë në hollin e bibliotekës i thashë:

- Zonja Katherinë - m'u duk pak i hiperbolizuar heroizmi i sotëm tek banjoja e arkivit...

Ajo qeshi dhe sytë i ndrinë.

- Ti je i çuditshëm - tha ajo - çdo gjë e do në përmasat reale. Nuk funksionon ashtu. Njerëzit kanë nevojë për një fjalë të mirë.

-Kanë - i thashë - por jo për tepërime sepse pastaj nuk merret vesh se çfarë është heroizmi i vërtetë. Nuk bën sens që dy hidraulikë që zhbllokojnë një banjo të merren për heronj...

- Ok, Ok - tha zonja Katherinë dhe bëri të ikte drejt zyrës së saj. Pastaj, si për çudi u kthye prapë nga unë dhe më pyeti:

- Po mirë hidraulikët nuk t'u dukan heronj. Po profesor Marty që bëri operacion gjenital dhe tash e tutje studentët do ta njohin për zonjë dhe jo për zotëri, nuk të duket ty hero?

- Kjo po - i thashë - sepse përfshin një sakrificë që mund t'i kushtonte edhe jetën në operacion. Dhe tek e fundit, mund të binte hero për një kauzë që ka pushtuar edhe aulën e Capitol Hillit... Nuk e ke marrë vesh ti që edhe atje po luftohet heroikisht për gjinitë humane...

I erdhi mirë që, më në fund rashë dakord me të për diçka që ajo e shihte heroike, njësoj si zhbllokimi i ujrave të zeza tek banjoja e arkivit të bibliotekës.

Kur mbaroi dita e punës që ishte po aq e mërzitshme sa edhe një zoom virtual ku shtiremi sikur jemi këputur në kryqe prej volumit te madh të punës, e pyeta veten edhe një herë:

- A je hero ti o i gjorë?

Dhe a e dini se si m'u gjegj vetja?

- Kur nuk the një fjalë kur pe që pushkatoheshin poetë në vendin ku je lindur, tani je tepër vonë për t'u bërë hero. Veç në u bëfsh hero si ata që quan zonja Katherinë kur arkivin e bibliotekës e përmbytën ujrat e zeza...

Jashtë ka rënë një jorgan dëbore. Këmbanorja e kishës së vjetër të kampusit e ka shpuar qiellin gri të këtij dimri. Dhe mua më duket se kryqi në majë të saj qëndron si një pikëpyetje në qiell ku nuk duket, për be, asnjë re heroizmi...

©Sami Milloshi