Misioni Paranoik - Nga Artan Gjyzel Hasani
çfarë ishte nuk do jetë më këtu…
bosh nuk mbetet asgjë…
as vetë asgjëja…
Diana i humbi drurët e saj…
gjahtare pa pyll…. por preja
tashmë fshihet pas qerpikëve të dimrit …
horizont i një loti blu…
përmjerja që Dhimbja e derdhi
në zgavrën pa sy të Zemërimit…
çfarë ishte nuk do të jetë më as atje
asgjëja e mbushur pjell çmendurinë…
kush digjet nga hiri nuk është i marrë…
njeriu është hija që hija pas lë…
demoni është foshnja
që harrojmë ta vëmë në gjumë…
dhe flutura nuk është budallaqe
kur i afrohet një zjarri që nuk djeg…
çfarë ishte nuk ka qenë ndonjëherë…
ndonjëherë është gjithmonë…
tani…
dikur…
pellgjet thahen...jo narcisti...
qielli s'është ajër...
por është lëkurë...
destini është balona që nga duart e fëmijës
u shkeput kur melodinë e vrane mbi dëborë…
në altarin bosh veç pianoja…
tingujt ikën…
edhe Pianisti....
nuk kishte spektatorë…
po ju? ku ishit ju?
ju që më kthyet kurrizin!
të shtunat që m’i vratë
i varrosa çdo të dielë
mos m’i vrisni të hënat,
lermëni të mbjell qiparisin…
dhe paskeni ardhur sonte të gjithë?
hahahahaha...
tani mund të vdes i qetë vetmie...
por nuk dua të vdes…
i kam frikë lartësitë…
nga varri drejt e mbi ju do të bie...
në këtë botë ku kaq miqesisht
miku të bëhet armik
dhe armik origjinal nuk ka më,
ç’vlerë ka lufta për të fituar
miqësinë e një njeriu…?
në këtë botë ku DASHURIA tepron aq shumë,
sa që shpesh u falet kafshëve
nga njerëz që s’e njohën kurrë,
si mund t’iu fal dashuri njerëzve,
unë që dashurova aq shumë…?
në këtë botë ku edhe kukullat
tashmë ndjejnë vetmi,
kush mund të më shpjegojë ndryshimin midis
një vrasësi
dhe
një fëmije?
në këtë botë ku e vërteta ka dhjetë fytyra
kerkoj
vetëm njërën,
pa sy,
pa gojë,
pa veshë,
pa emër
dhe si një copë të bardhë letre
një të porsalinduri t’ia dhuroj,
me lotë dhe urinë të vizatojë
pikturën e tij tronditëse ….
në këtë karnaval shekullor
pazar shpirtërash të kambizuar
hedh çdo çast mallkimin tim:
“Gëzuar për shumë vjet, njerucër!”,
duke shpresuar mos t’i zërë…
(1996, 2012)
©Artan Gjyzel Hasani



