Krijimtari

E bëmë edhe Shyqkën me dekoratë! - Tregim nga Albana Lifschin

Albana Lifschin - SHBA

Shyqua ynë na ra i sëmurë e s’u ngrit nga shtrati. Ç’kishte Shyqo-ziu? Po ja, i kaloi të 60-at dhe kishte filluar të bënte bilancin e jetës e s’i dilnin hesapet tamam.

-Je bërë i vrenjtur, më thua tiiii? Po qysh të mos bëhem? Më robtoi kjo qerrata jetë e s’më dha asnjë shpërblim! Thyej gishtërinjtë nëpër germa unë, shkruaj unë fjalë të rastit për njërin zotëri e per tjetrin, për podiume e presidiume! Kush nuk më shqeu nga xhaketa: Aman Z. Shyqo, hajde të flasësh për librin tim! Për poezite e mia, për romanin tim… për inaugurimin. Nuk mbaron bota së shkruari dhe  vuuuu... tek unë të tërë. E po qysh tua prishja! I prishet qejfi, z. Filan apo zotërisë Fistek që donte t’i shkruaja për një letrare të re, se ajo vetëm me një liber na qënkish bërë baraz me një kandidate për çmimin Nobel? Po atij rufjanit qysh t’ia prish që vate e na shtroi një darkë me gjithë të mirat për nderin tim? Paçka se më lau barku pas saj. Nuk kam hall së më ranë këmbët duke promovuar talente të reja, e gjellët e reja, po mua mor vëlla kush do më promovojë?  Na iku jeta për shalësh, siç thotë ai kodoshi im, duke i bërë qejfin botës.Thonë se pas të gjashtëdhjetave njeriu ecën mbi bomba, në mos sot, nesër, a pasnesër do pëlcasë ajo e shkretë. Po ike nga kjo dynja, shkoi vate ajo punë! Të harruan edhe të tutë, e le pastaj bota! Makar të më kishin dhënë një diplomë mjeshtri, a një gjë që t’i regulloja një kornize të bukur me bordurë floriri (a varaku fundja!) e t’ua lija fëmijëve kur të ktheja këmbët nga Dielli.

Shyqua psherëtiu thellë, e bëri të fshinte lotët nga sytë, por në shami i mbeti një sklep. E futi me vrap shaminë shuk në xhepin e xhaketës, se mos e shihte miku matanë tavolinës.

-E mjaft, se nuk bën burri kështu, - zgjati tjetri dorën e ngushëllimit. Dhe zotrote, s’ke të drejtë kur thua që në të 60-tat ecën mbi bomba. Në të kundërten, pas 60-tave burrat bien dashuri me çupa të reja, bëjnë karrierë nëse u ka mbetur merak, se tani është hapur bota e rrugët për karrierë janë bërë autostrada! Po s’të eci këtu, kalo Adriatikun… S’e shesh s‘bëhet? Nejse, do ta bëjmë hallin edhe ty. S’të lemë të vdesësh ore jo! Po ti nuk dukesh as i sëmurë, more babaxhan. Naaa… të janë bërë rrathët e qafës. Të është bërë mjekra me dy kate!

-Vërtet? E po pse s’thua ti, do më haka kanceri shpejt e shpejt mua, o Telo!

Telua shtypi bishtin e cigares në taketuken e aluminit të kafenesë e i tha të ngrihej se do ta përcillte në shtëpi.

-Zakonisht kanceri i ha ata që kanë çehre të verdhë, byrazer. Ti i ke faqet të kuqe si pjeshkë, si ato çupkat nga anët tona.

Telua e shpuri në shtëpi Shyqon e i tha së shoqes ta vinte në shtrat burrin. T’i vinte një peshqir të njomur në ballë e të mos e linte të ngrihej nga shtrati.

-Korba! Ç’e gjeti Shyqkën?!

-Bëj si të them unë. Po e kërkoi njeri në telefon u thuaj Shyqka është sëmurë keq, e mos ua zgjat fare!

Të nesërmen, po në atë kafene, Telua kishte lënë të takohej me Çeçon. Çeço Vula kishte kohë pa e parë Telo Bardhin e me t’i dhënë dorën ia shkundi fort tre herë, duke e pyetur: Hë, si ke qënë? Nga shtëpia? Mirë? Mirë të gjithë?  Dhe u lëshua në karrige.

-Po u bë gjithë kjo kohë që s’jemi parë, bre. Ç’je bërë?

-Halle, halle, kjo dynja! Ca të vogla e ca të mëdha. Po më e keqja është kur lë shëndenë, se s’të bën njeri derman.

-Ç’thua more! Ç’hall ke? Hape barkun!

-S’kam hall për vete byrazer, po për Shyqkën. Eshtë keq.

-Keq? Ç’llafos? Kancer? Ku, more?

Telua vuri gishtin tregues në ballë.

-Në kokë thua? I shkreti!

Si u mendua ca, pyeti i trishtuar:

-Ke folur gjë me Shyqon?

-Hëëë… - bëri Telua, - ç’ti flas, ai ka zënë shtratin! Ja dale, të pyesim të shoqen njëherë se si është. Dhe Telua nxorri celularin.

-Violeta, si e kam sivëllaun?

Zëri nga ana tjetër e telefonit vinte si i shkëputur. Telua gati e mbuloi me pëllëmbë celularin që të mos dëgjonte njeri tjetër, po vetëm ai. Dëgjonte e tundte kokën me dëshpërim Telua.

E mbylli celularin dhe raportoi gjendjen.

-Po ç’ti bëjmë? pyeti Çeçua tek fërkonte mjekrën me dy gishtrinjtë.

-Dëgjo! Do e bëjmë një gjë. Kur e kishte gojën Shyqo ziu, para ndonjë muaji më shkarkoi tërë dëshpërimin e tij. Nuk qe i kënaqur me jetën.

-E kush është, o aman? - e ndërpreu Çeçua.

-S’i kish kishte dhënë kënaqësi fare kjo jetë, vazhdoi Telua. As fëmijët, as gruaja dhe as shoqëria. Nuk e kemi vlerësuar fare, më duket. Ti e di sa i palodhur qe ai! Apo jo? Sa konferenca, sa studime për progres të shoqërisë, - një diplomë, a dekoratë nuk i dhanë … Ore, e di ti që kanceri të shpifet nga dëshpërimi. Ja të bëhet një si xhungë në fyt dhe aq, e hëngre!

-Për nder, ke të drejtë! - u nxitua ta aprovonte Çeçua që iu bë se kohët e fundit, sikur i qe bërë një gjë në fyt.

-Do mbledhim shoqërinë e ta bisedojmë këtë punën e Shyqkës, ta shpiem fjalën atje lart, t’i bëjmë edhe një biografi kontributi, që thua ti, dhe ia nisim atij që ka firmën edhe vulën. Ja kështu do bëjmë!

-Ore ashtu do vejë gjatë puna, koha s’do na presë neve. Të mos na mbesë pishman.  Sot jemi, nesër s’jemi. I gjejmë më mirë ndonjë mik mustaqes e ia çojmë gati diplomën me motivacionin “Personalitet i shquar i letrave shqipe!” Ka më bukur? E kush do bëhet xheloz për Shyqkën! Ai që vdes, - ka thënë një kokë e madhe - nuk ka as xhelozë, as konkurentë! - ngriti zërin Çeçua në mënyrë solemne.

Miqtë e ngushtë, i dhanë fjalën njeri-tjetrit që ta bisedonin këtë punë edhe me miqtë e tjerë. U ndanë duke menduar secili për fatin e vet, pas vdekjes. Mirë Shyqka që ka miq, për kokë të miqve, e do ia vënë diplomën mbi xhenaze, po për ata kush do të mendojë?

Ndodhi çudia. Pas marrjes së Diplomës, “Personalitet i madh i letrave shqipe”, Shyqka, u ngjall.  U ngjall ore fare!

-Unë tani… patjetër duhet të jem gjallë, i tha ai Telos, - ndryshe  s’ka kuptim. Qysh do e gëzoja unë atë duke qënë i vdekur. Jo ore, unë tani do të punoj më shumë për shoqërinë, për ju të tërë! Nuk është koha për të vdekur tani.

Thonë që nga ajo ditë, Shyqon e citonin të tërë ata që shgaravisnin vargje e mbushnin rreshta, pa marrë frymë. Dhe Shyqka hidhte firmën e tij të gjatë e të nderuar.

©Albana Lifschin, Maj 2015-Nju Jork