Krijimtari

Kur shkenca ka folur me gjuhën e grave - Nga Erisa Kreshpa

Për shekuj me radhë shkenca ka qenë e dominuar nga burrat, të cilët pa diskutim kanë merita për ata çfarë i kanë dhënë njerëzimit, por kjo nuk do të thotë, që gratë nuk kanë patur ndikim me zbulimet e tyre. Ndër qindra vjet, gruaja ka qenë gjithmonë e projektuar për të ushtruar aktivitetin e saj në familje, duke dhënë kontributin kryesor në edukimin dhe rritjen e fëmijëve, si dhe në punët e shtëpisë.

Pavarësisht kësaj, nuk kanë munguar në historinë e botës, gra që u arsimuan, u fokusuan në shkencë, duke dhënë kështu ndihmesën e tyre në zhvillimin e saj. Që nga periudha e Antikitetit, gjejmë gra me talent të jashtëzakonshëm dhe vëmendje për filozofinë  e natyrës. Në Egjiptin e lashtë përmendet Hypatia dhe Maria,  të cilat mendohen të jenë përkatësisht matematikania dhe alkimistja e parë.

Gjatë periudhës së errët të mesjetës, në të cilën shkenca nuk pati përparime të mëdha, mjeket gra me origjinë hebre ishin të shpeshta nëpër Evropë. Kur filluan te lulëzonin universitetet evropiane,  për  gratë  ishte  e  ndaluar  të regjistroheshin në to, duke i mbajtur në këtë mënyrë të përjashtuara nga jeta akademike dhe intelektuale.

Gjatë periudhës së revolucionit shkencor, gratë përsëri mbaheshin larg profesioneve shkencore, me përjashtim të disa universiteteve italiane, që i lejonin të bëheshin pjesë e tyre. Jo pak gra të aristokracisë, që kishin mundësi për të marrë mësime private, treguan interes për zbulimet e reja që po bëheshin. Anglezja Margaret Cavendish, studioi matematikë, astronomi dhe shkroi libra për disa çështje e pikëpamje shkencore. Italiania Maria Agnesi, fliste shtatë gjuhë dhe studionte matematikë. Laura Bassi, u doktorua nga universiteti i Bolonjës dhe u bë e para grua, që mbajti një pozicion mësimdhënës në lëndën e fizikës, në po atë universitet.

Shekulli i XIX solli ndryshime edhe më të mëdha. Shkenca bëri përparime të shpejta asokohe. Gratë filluan të kishin një rol tjetër në shoqëri, kërkuan më shumë të drejta, dhe universitetet pak e nga pak filluan t’iu hapnin dyert.

Fillimi i shekullit të XX shënoi një ngjarje historike për gratë shkencëtare. Për herë të parë një grua arriti të merrte çmimin Nobel në fizikë dhe ajo ishte Marie Curie. Çmimin e mori bashkërisht me bashkëshortin e saj, shkencëtarin Pierre Curie. Kjo arritje tërhoqi një vëmendje të madhe publike, duke vendosur në fokus gratë në shkencë, dhe duke i frymëzuar e motivuar ato për më tej. Megjithatë përsëri kishte ende shumë sfida për të përballur. Dhe pse universitetet kishin disa dekada, që i mirëprisnin vajzat e gratë, pozicionet në  mësimdhënie ishin ende të rezervuara për burrat. Pavarësisht se disa gra ishin të talentuara, të diplomuara dhe të dalluara për aftësitë e tyre shkencore, ato nuk e kishin të lehtë të gjenin një punë në ato profile per te cilat ishin diplomuar.

Libri “Women speak STEM” u konceptua si ide pak muaj pasi solla në jetë vajzën time, periudhë kohore që përkon me zhvendosjen në Kanada. Mes përshtatjes me jetën e re, sfidave të fillimit, kërkimit për punë dhe rritjes së një bebeje, gjeta mundësinë për të parë më nga afër disa gra kurajoze, brilante dhe të gatshme për të sfiduar të gjitha pengesat e kohës. Së bashku me tregimet e shkencëtareve, vijnë dhe portretet e tyre të vizatuara me dorë nga një ilustruese e talentuar që sapo ka nis rrugëtimin e saj, Sonja Hoxha. Uroj dhe shpresoj që ky libër, i cili gjendet në Amazon, të frymëzojë të rinjtë dhe të rejat për të kërkuar dhe treguar më tej histori interesante kur shkenca ka folur me gjuhën e grave…

Erisa Kreshpa

Ottawa, Kanada