Krijimtari

Ella - Tregim nga Sami Milloshi

Asnjëhere nuk e kisha pyetur Ellën se pse qe e detyruar të përdorte karrocë lëvizëse. Por, sa herë më jepej rasti, bëja çmos ta ndihmoja pa i dhënë të kuptonte se ajo nuk ishte e zonja e vetes.

Nuk bëja kush e di se çfarë, thjesht i hapja portën e madhe të pallatit ku banonim. Kaq, jo më shumë!

Ellës i pëlqente mirësjellja ime dhe duke më parë në dritë të syrit më jepte një të puthur me pëllëmbën e saj.

Unë e merrja me vete atë puthje dhe gjithë dita e punës më bëhej e lehtë si ajri.

Një ditë, ndërsa po ecja në hollin e pallatit, ngjitur me apartamentin e Ellës degjova një rënkim të lehtë. Iu afrova portës së Ellës dhe mbajta vesh rënkimin...

Zëri i Ellës më futi drithërimat. Kujtova se mos ndoshta qe rrëzuar nga karrikja lëvizëse apo ndoshta kishte rënë nga krevati. Por, jo. Nuk ishin rënkime dhimbjeje.

Ishte një rënkim gruaje në qiellin e shtatë... Nuk kishte se si të ishte ndryshe përderisa edhe mua m'u zgjuan gjëndrrat e burrit ...

- Ella - thirra unë në korridor si i marrë - a je mirë?

Rënkimet e Ellës heshtën. Kaq ishte dhimbja e saj, mendova.

T'i trokas, t'a pyes mos ka nevojë për ndihmë?!

Por, çfarë ndihme mund t'i jepja unë Ellës? Një Zot e di...

M'u duk sikur Ella më ngjiti rënkimin e saj. Por duhej ta mbaja veten se isha në korridor. Sakaq iu afrova ashensorit.

Shtypa butonin dhe u ngjita në katin tim.

Hapa derën e apartamentit dhe fillova të rënkoj edhe unë. 

Thjesht vazhdova ato rënkime që heshti Ella kur i thirra unë...

Ellaaaaaa ku jeeee? - thirra unë.

Ndërkaq, si në përrallë, sa çel e mbyll sytë, Ella u shfaq në krahët e mi dhe ma mbylli gojën me të puthura.

- E sheh pra, se nuk është mirë të rënkosh se bën zhurmë - tha Ella.

- E shoh - i thashë, me sytë mbyllur.

Heshta edhe unë si Ella.

Heshtëm të dy që të mos u bënim zhurmë të tjerëve...

©Sami Milloshi