Krijimtari

Letër në adresë të vjehrrës - Nga Albana Lifschin

Një herë në javë i shpiem vjehrrës një pjesë të postës së saj, që vjen gabimisht në adresën tonë. Nuk është postë e rëndësishme, zakonisht nga firma tregtare që ofrojnë mallra të reja, katalogë me veshje të stinës, letra nga organizata bamirëse, që i kërkojnë të japë ndihmesën e saj. Ndonjëherë i vijnë edhe kupona për t’i blerë mallrat me çmime më të ulëta. I mbledhim tërë këto zarfe dhe i vëmë diku në një qoshe pranë shkallëve, që të mos i harrojmë t’i marrim me vete, kur të shkojmë tek ajo. Zakonisht këtë postë ajo e quan “xhank meill”. U hedh një sy të shpejtë zarfeve dhe i flak në kosh, ndonjëherë edhe pa i hapur fare.

Atë ditë zarfi me emrin e saj vinte nga Planned Parenthood, Margaret Sanger Square, që do të thoshte nga Planifikimi Familjar i Nju Jorkut.

Nuk ishte një gjë që të kalonte pa rënë në sy. Një gruaje që po mbushte 85-at, i vinte një letër nga Planifikimi Familjar.

- Ç’është kjo? - e pyeta unë Majkun, duke vënë buzën në gaz.

- Me siguri e mësojnë mamanë se si të mos mbetet shtatzënë. Mos e hap. T’ia çojmë nesër.

Të nesërmen shkova te vjehrra, vetëm. Majku tha se do të takoheshim atje nja dy orë më vonë, kur mamasë t’i vinte tekniku i televizorit. Që kur e kishte kthyer televizorin në Web TV, kishte probleme me të.

Vjehrrën e gjeta në kuzhinë. Po zbrazte supën  e saj të parapëlqyer në supjerë. E prita sa të mbaronte e të kthehej në tryezë. Pastaj nxora nga çanta zarfin.

- Këtë ma dha Majku për ty.

Dhe prita se si do të reagonte. Ajo vuri syzet. E grisi me kujdes zarfin, e hapi letrën dhe nisi ta lexonte. Në fillim në heshtje, pastaj e ngriti zërin: “Sa herë që shoh një vajzë adoleshente me barrë, kam dëshirë ta ndihmoj. Dhe është pikërisht kjo çfarë bëjmë ne të Planifikimit Familjar të Nju Jorkut. Ne kujdesemi për vajza të reja si ju. Por me ritmin e madh të shtimit të shtatzënësisë tek adoleshentet, ka ende shumë për të bërë. Në Bronx ka mbi 100 workshope të edukimit seksual për të ulur ritmin e barrës së padëshiruar…”

Ajo ndaloi, më vështroi mbi syzet e lëshuara mbi hundë, dhe tha:

- Më ka ardhur tamam në kohë!  Unë po qeshja me të madhe, sa po më dilnin lot nga sytë. - Ku është im bir? - më pyeti.

- Më tha se do të takoheshim këtu, - u përgjigja unë, që ndieja se po më dhembte mesi nga të qeshurit. Ajo u ngrit dhe telefonoi.

- Majkëll, në telefon është nëna jote shtatzënë, ngrije telefonin… S’qenka! - tha dhe e vuri receptorin në vend.

Pastaj u ul, firmosi një çek 25-dollarësh dhe e futi në zarfin që i kishte dërguar Planifikimi Familjar i Nju Jorkut.

 - Kjo është e gjitha çfarë duan këta, - tha duke më treguar zarfin, - pará. Të gjithë duan pará në këtë botë. Kur të dilni, hidheni këtë çek në postë.

(Fragment nga libri "Vjehërr amerikane")