Dy ditë nga një agjërim i ndërprerë - Tregim nga Sami Milloshi
Kur zoti Fuat Baçi vendosi të agjërojë nuk e kishte kurrfarë ideje se me çfarë të papriturash mund të përballej. Por, për një gjë e kishte bindur veten: se sido që të ishte me atë shpirt aventure që ia njihte vetes, do të mund t'ia dilte mbanë gjer në ditën e fundit të muajit të madhnueshëm të Ramazanit...
Në xhami nuk kishte shkuar ndonjë herë në jetë e tij sepse kur ishte koha për të shkuar në moshë të re, xhamitë jo vetëm u mbyllën, por edhe u shembën.
Edhe ajo xhamia ngjitur shtëpisë ku qe rritur Fuati u shemb.
Kur u shemb xhamia Fuati ishte fëmijë kërthi i njomë, as trembëdhjetë vjet nuk i kish mbushur. Ai e mbante mend mirë se si hypte shkallet e xhamisë dhe dilte në ballkon të shihte fushat e gjelbra me misër. Por, kjo aventure ishte edhe për të vjellë, sepse nëpër shkallët e xhamisë vinte era shurrë dhe mund të shkelje në copa muti të lëna pas nga moshatarët e tij.
Kur u ringrit xhamia Fuati nuk ishte aty. Kishte kapërcyer Atlantikun dhe punonte për bukën e gojës në një fabrikë barnash mjekësore në Toronto.
Kur vinte muaji i madhnueshëm i Ramazanit gjithnjë ishte rrekur ta niste agjërimin, por nuk kishte guxuar.
Këtë vit guxoi. E gjeti një kalendar të agjërimit të xhamisë dhe aty pa jo vetëm oraret e ngrënies së syfyrit dhe të iftarit, por edhe disa lutje që duhej të bënte kur të fillonte syfyrin apo iftarin.
Askujt nuk ia kishte thënë se do të agjëronte, madje as gruas së tij, zonjës Marie.
Kur e filloi agjërimin, u ngrit shumë herët nga krevati, dhe pasi bëri një dush vuri mbi tryezë katër pesë kokrra dates. Një gotë ujë dhe asgjë tjetër.
Jashtë ishte ende natë, një natë pus e errët. Kur erdhi ora të çelte syfyrin tha lutjen pothuaj si pëshpërimë.
Iu kujtua nëna. Nëna që kur mblidhte thërrimet nga sofra e bukës gjithnjë thoshte: "Shtoje Zot!"
Pastaj në heshtje u lut për femijët e tij.
Kur zbardhi dita Fuat Baçi ngriti sytë dhe pa në qiell. U lut edhe një herë në heshtje që Zoti t'i jepte aq jetë sa ta bënte gjysh për së dyti.
Në punë dikush i ofroi një shishe me ujë, por ai gënjeu dhe e ktheu mbrapsht se gjoja nuk qe i etur. Edhe në drekë u zhduk nga kafeteria për të mos rënë në sy që nuk do të hante si zakonisht.
Një mikeshë e tij, zonjusha Betty e vuri re mungesën e tij në kafeteri dhe e pyeti:
- Nga u zhduke? Pse nuk ke marrë ushqim për drekë?
- Jam shëndoshur shumë - tha Fuati.
- Dhe do që të biesh në peshë?
- Po - tha Fuat Baçi.
Nuk e mori vesh as vetë se si i shpëtoi ajo "PO" nga goja. U ndje keq se nuk do dëshironte ta thoshte arsyen e vërtetë pse e nisi agjërimin. Por, për dreq, e tha...
Edhe pse e tha, e përkedhelte veten me misterin se megjithatë, kurrkujt nuk po i binte ndër mend se ai po agjëronte, ngaqë ata që e rrethonin ose ishin të krishterë, ose nuk besonin në Zot...
Ditën e dytë kur erdhi koha e iftarit, Fuat Baçi ndjehej tmerrësisht i lodhur.
E hëngri iftarin aq shpejt, a thua se kishte qenë në burg një jetë të tërë. Piu edhe një kanë me ujë, sikur të qe në Sahara...
Si mbaroi së ngrëni, i tha vetes se ky do të ishte iftari i dytë dhe i fundit për të, pasi qe i bindur se po ta vazhdonte ose do të pësonte ndalim zemre, ose do të përfundonte në spital...
Ditën e tretë nuk u ngrit herët si zakonisht të çelte syfyrin ende pa zbardhur. Maria e vuri re këtë gjë dhe i pëshpëriti në vesh:
- Princi im. Ti je vonë për ta nisur agjërimin në këtë moshë. Nuk e përballon shëndeti yt. Allahu është i madhërishëm, por shëndeti dhe stomaku yt është edhe më i madhërishëm...
Fuat Baçi e tërhoqi Marien pas vetes, e puthi fort në buzë, ia hoqi të mbathurat pothuajse duke ia shqyer dhe i hipi sipër si një kalë i hazdisur t'i bënte atë që ia kishte ndaluar agjërimi...
Kur mbaroi punë dhe sperma e tij kundërmonte atë erën e thartë të njohur mbi barkun e bardhë të Marias, Fuat Baçit, iu ndërmendën ato ngjitjet e tij në xhami kur ishte fëmijë.
Iu kujtua edhe një herë era e shurrës se bashkëmoshatarëve të tij në shkallët e xhamisë që u shemb...
©Sami Milloshi



