Teze Toti - Nga Albana Lifschin

Albana Lifschin - Charlotte, North Carolina
Kohët e fundit, Toti, që i kishe mbushur të 90-at, ishte e sëmurë me kancer. Mjekët i kishin thënë se mund të jetonte edhe vetëm dy muaj, por mund të jetonte edhe 6 muaj. Më çudiste fakti që ata ia kishin thënë ashtu, troç.
Atë mbrëmje që morëm këtë lajm, shkuam te vjehrra. Si gjithnjë dhomën e mbushte zhurma e televizorit. Ajo gjithnjë e ngrinte shumë volumin e zërit. Na priti si zakonisht, buzagaz dhe, duke u kthyer nga i biri, tha se, para se të uleshim të darkonim, kërkonte një nder nga ai: t’i hidhte një sy kompjuterit, se nuk i merrte dhe as i përcillte mesazhet në rregull. Dhe më ra ndër mend se kishte ca kohë që nuk kisha marrë receta gjellësh prej saj në e-mail.
Të dy, nënë e bir, jepnin e merrnin me kompjuterin, ndërsa unë rrija ulur në aneksin e kuzhinës. Zëri i lartë i televizorit po më shqetësonte.
- Mama, ta ul pak zërin? - thirra unë.
- Sigurisht, honey. Televizori ka gjithë ditën ashtu, por unë s’e kam vënë re.
Dyshoja se s’dëgjonte mirë nga veshët, por ajo vetë s’e thoshte këtë. Shtypa butonin e uljes së volumit dhe u qetësova
Kur u ulëm të tre reth tryezës së ngrënies, ajo na njoftoi se do të shkonte në Florida.
- Ti nuk pate fatin ta njihje nga afër Totin, - m’u drejtua ajo. - Djemtë e mi i ka dashur si të ishin të vetët. Merakosej shumë për ta. Vetë s’ka pasur fëmijë. Sa herë binte borë në Bruklin, ajo merrte në telefon: “Në televizor thonë që ka borë atje te ju. A i kanë mbathur djemtë çizmet për në shkollë?”
- Ama tërë jetën është ankuar nga shëndeti! - ndërhyri Majku. - Kur e merrnim në telefon për ta pyetur si ndiheshe, ajo na e kthente gjithmonë, “Mizërëbëll!” Kështu që im vëlla i ngjiti nofkën “Tezja Mizërëbëll”
Mua më erdhi për të qeshur. M’u kujtua se kisha biseduar vetëm një herë në telefon me të dhe, kur e pyeta “How are you?”, m’u përgjigj pikërisht ashtu: “Mizërëbëll”. Pastaj më pyeti si i kisha njerëzit e mi në Shqipëri. Kishte dëgjuar për turbullirat në Kosovë. Unë u preka. Ajo grua e vjetër, 90 vjeçe, ndiqte lajmet dhe e kishte bërë lidhjen me mua, paçka se unë s’kisha lindur në Kosovë. E falënderova dhe i thashë se kisha shumë dëshirë që ta njihja.
- Majku më flet shumë për ju, - shtova unë.
- Falemnderit, por kështu siç jam bërë tani, në asnjë mënyrë! Dikur po, kam qenë diçka, por jo tani.
Mua m’u kujtua fotografia e saj në një ceremoni familjare. Një grua trupvogël, por e kolme dhe e bukur. Toti thoshte se tani nuk peshonte as 40 kilogramë.
Vjehrra na tha se do të shkonte vetëm për një javë në Florida, pasi sëmundjes së Totit nuk i dihej. Pastaj u kthye nga unë:
- Apo jo?
Unë isha e fundit që mund të më drejtohej ajo pyetje.
Kisha menduar tërë rrugës se çfarë do t’i thosha e si do ta ngushëlloja për të motrën, por dukej se ajo e kishte situatën plotësisht nën kontroll. Ishte gjakftohtë. “Ndoshta të gjithë amerikanët kështu janë në këto raste”, - thashë me vete. Ndryshe nga ata, neve vdekja e të afërmit “na bënte ta humbisnim toruan” e nuk ishim në të për një kohë të gjatë.
Të nesërmen e përcollëm deri në aeroport.
Ajo qe rehatuar në ndenjësen e makinës, e mbështjellë me një pardesy bezhë. Flokët e bardhë i kishte bërë me kujdes me onde, si gjithnjë. Më ranë në sy faqet e saj të lyera me ton të kuq, çuditërisht ca më shumë se zakonisht. Edhe i kuqi i buzëve sikur qe më i ndezur e jo në ngjyrë hideje, siç e vinte zakonisht. Kështu m’u duk mua apo, ndoshta, kishte merak se, ngaqë po merrte rrugë të gjatë, derisa të mbërrinte në Florida, do t’i ishte fshirë tualeti? Megjithatë “shyqyr që po shkon në Florida e jo në Tiranë”, thashë me vete. E përqafova.
- Më vjen keq!
- S’ke ç’t’i bësh, - tha. - Do të shkoj të rri vetëm një javë. Nuk rri dot më shumë. Kam edhe unë jetën time për ta jetuar.
Në mbrëmje vonë na mori në telefon nga Florida për të na thënë se kishe mbërritur shëndoshë e mirë.
- Jam e lodhur. Sonte do të fle dhe nesër do të shkoj në spital, - tha.
Të nesërmen në mëngjes na telefonoi përsëri.
- Kam harruar vitaminat në shtëpi. A mund të m’i postoni via-ekspres? S’mund të rri një javë pa to.
Majku ia kreu porosinë brenda një ore.
Kur u kthye nga Florida një javë më vonë, me një sens të lehtë humori na tregoi se Toti i kishte thënë: “Sigurohuni mirë që kam vdekur, para se të më varrosni.”
Ditët vazhduan ashtu si më parë, pa atë tronditjen që tezja ishte me kancer.
- Kësaj sëmundjeje s’i dihet, - tha vjehrra. - Nuk mund ta ndalim jetën tonë për të.
* * *
Lajmi i vdekjes së Totit, edhe pse ishte diçka që pritej, na erdhi papritur.
- U bë shumë nervoze, kur mjekët i vunë oksigjenin, - shpjegonte në telefon gruaja që kujdesej për të. “Tani, me sa duket, po vdes, - tha, - prandaj dhe po më vënë oksigjen. Por, në qoftë se po vdes, atëherë ç’kuptim ka oksigjeni?! Kjo është qesharake!” - Dhe nuk e shtyu dot as edhe një ditë. Kështu që s’patëm kohë që t’ju lajmëronim, - justifikohej ajo me një zë të ngashëryer. Linda - kështu quhej hauskiperja - kishte punuar dhjetë vjet për Totin, ditën dhe natën. Rroga që i kishte lidhur Toti asaj, ishte e pabesueshme. Kjo grua merrte 1200 dollarë në javë, domethënë pothuaj 5000 dollarë në muaj. Sikur Toti të qe Revlon Company! Madje Toti kishte lënë porosi që pas vdekjes së saj Lindës t’i jepnin edhe një shumë prej 10 mijë dollarësh, derisa të gjente punë e shtëpi tjetër.
- Ka kohë që Linda na ka hyrë në pjesë në trashëgimi, - bënte humor im kunat.
Linda kërkoi të vinte për të marrë pjesë në varrimin e Totit.
- Të fluturosh nga Florida për në Nju-Jork?! Kjo nuk ka kuptim! - i tha ime vjehërr. - Varrimi do të zgjatë dy orë, i thjeshtë. Nuk ia vlen të vish në Nju Jork e të kthehesh në Florida brenda ditës…
Pastaj ime vjehërr hapi bllokun e telefonave dhe nxitoi të bënte lajmërimet tek të afërmit dhe tek të njohurit. La porosi e dërgoi mesazhe. Më në fund, e vari receptorin në mur dhe tha:
- Të gjithë pyesnin sa vjeç ishte Toti. Kur u thosha që i kishte mbushur të nëntëdhjetat, ata pothuaj harronin edhe të ngushëllonin. Kështu që fillova t’u them se “ishte 5 vjet më e madhe se unë”, dhe atëherë tregoheshin më të kujdesshëm. Sidoqoftë, shoqëria e moshës së saj ka ikur me kohë. Ata që do të vijnë për ngushëllim, janë mosha ime ose më të reja se unë, po të kesh parasysh se unë shoqet i kam edhe më të reja se veten.
- Më të rinjtë, si mosha ime, duhet të marrin leje nga puna, po qe se do të vijnë në varrim, - s’iu ndenj Xhejmsit, tim kunati, pa ngacmuar.
- Oh, lëri këto, Xhejms! Ti e di që jot emtë nuk kishte shoqëri me dyzetvjeçarët.
Në mbrëmje zilja e telefonit ra përsëri dhe ajo po bisedonte me një të afërm të saj, duke e siguruar se të gjitha lajmërimet i kishte bërë në rregull.
- Me disa nuk arrita të flisja gojarisht, por lashë mesazhe. Për shembull, Lorit i lashë mesazh, Stivit i lashë mesazh…
- Stivi nuk e ka telefonin me mesazh, - erdhi përgjigja.
- Oh, i paskam rënë numrit gabim atëherë! - tha vjehrra dhe kroi mjekrën. Në kuzhinë plasi e qeshura.
- Mama, - tha im kunat, - të hënën në varrim do të na vijnë njerëz të panjohur vetëm për drekën qyl.
Në mbrëmje vonë, kur u ndamë, vjehrra më porositi që ditën e varrimit të vishja fustanin bojë qielli me pika të bardha, se ai më shkonte shumë.
“Kjo do të thotë që njerëzit s’paskan për t’u veshur me të zeza”, - thashë unë me vete disi e çuditur. Këtë ia thashë Majkut dhe ai m’u përgjigj se edhe vetë Toti nuk do të dëshironte që “ne të visheshim me të zeza”. Ajo e urrente trishtimin. Papritur m’u kujtua gjyshja ime. Edhe ajo e pati lënë një porosi të tillë.
* * *
Funerali i Totit ishte i qetë. Mendoja se do të rrinim me orë të tëra në shtëpinë funerale, duke pritur e përcjellë, pastaj varrimi e më vonë përsëri pritjet e përcjelljet në shtëpi, por jo. Atmosfera e vdekjes nuk ndihej ashtu siç e mendoja unë. Këtu biznesi bën punën e vet edhe me vdekjet. Shpenzimet e funeralit, Toti i kishte paguar që kur ishte gjallë. Edhe arkivolin e kishte zgjedhur vetë. Kështu që për të afërmit s’kishte mbetur gjë për të bërë.
Trupi i saj u soll nga Florida në Bruklin dhe ne vajtëm në shtëpinë funerale vetëm për dhjetë minuta, sa për ta parë (“se mos kanë sjellë ndonjë tjetër në vend të saj, gabimisht”, - bëri humor im kunat) dhe, pas kësaj, ne dhe bashkë me ne edhe motra e vogël e vjehrrës, Rozlina me të shoqin, që kishin ardhur nga Florida, u nisëm drejt e për në varreza.
Aty nuk kishin ardhur shumë njerëz. (Siç tha ime vjehërr, Toti qe mbi 90 dhe e tërë shoqëria e saj e kishin lënë këtë botë me kohë.) Pas varrimit, dreka qe porositur në restorantin më të afërt. Njerëzit e ardhur në atë drekë kishin dy vjet pa u parë me njëri-tjetrin, që nga evenimenti i fundit familjar, kështu që u çmallën e patën rast të bisedonin për jetën e për bizneset e tyre. Kur u duk se të gjithë zunë vend, ime vjehërr pyeti:
- Janë të pranishëm të gjithë?
- Deri tani jemi tanët, mama, por, po qe se do të na vijnë dhe ata të mesazheve që ke lënë mbrëmë, do të na duhet të shtojmë edhe dy karrige.
Majku qeshi. Dikush desh të dinte se ç’ishin “ata të mesazheve” dhe Xhejmsi pati rast ta rifreskonte episodin e mbrëmshëm, se si mamaja, e cila me vdekjen e motrës së madhe qe vetemëruar “gjeneral i përgjithshëm”, kishte lënë mesazhe te dy të panjohur, duke i ftuar në drekën e Totit. Ai shkriu tërë artin e tij për t’i bërë të tjerët të qeshnin.
Pas drekës, më të rinjtë thanë se qe një ditë tepër e nxehtë dhe i nganë makinat në drejtim të plazhit. Xhejmsi u printe.
©Albana Lifschin
(Nga novela " Vjehërr Amerikane ", 2010)



