Një keqkuptim i vogël - Tregim nga Sami Milloshi
Zonjën Mai e kisha njohur në kishë. Ajo përkthente për ne të tjerët që nuk e dinim gjuhën vietmameze. Anglishtja e saj qe si muzikë e gjallë për veshët e mi ato të diela që shkoja në kishë. Zaten, hollë hollë, unë për zërin e saj shkoja në kishë, sepse lidhjen me Hyjin unë e mbaj në një menyrë tjetër, përmes mëmës, i bëftë dritë shpirti...
Qe një ditë vjeshte me ajër të thatë dhe, për ne që e kishim ndjekur lutjen e orës dhjetë, dreka shtrohej jashtë në ballkonin e stërmadh të kishës.
Unë më tepër shijoja bisedat me miqtë e mi vietnamezë se sa ushqimin. Dhe, lavdi Zotit, kur ndodhte që vinte edhe përkthyesja Mai, unë e harroja pse kisha shkuar në kishë.
Mai erdhi. Dhe unë e pyeta Main se sa fëmijë kishte. Mai tha se kishte tetë fëmijë. Por Mai vetë dukej sikur nuk i kishte mbushur të dyzetat...
Ajo fytyra e saj borë e bardhë dhe ato sytë e vegjël si lajthi, mua më bënin të mendoj se Mai jo që nuk i kishte tetë fëmijë, por se për mua ishte e virgjër fare.
Ia thashë në mënyrën më të ëmbël të mundshme se ajo dukej si një vajzë e re me hiret e saj dhe se nuk e jepte kurrsesi përshtypjen se ishte nënë me shumë fëmijë.
Iu bë qejfi dhe më falenderoi. Sytë e qeshur, ato dy lajthi të imta,sikur iu mbyllën krejt kur shtoi krejt papritur :
- Dhe të mendosh, se kjo grua që ti ke përballë, e ka burrin pastor!
Unë gati sa nuk shashtisa fare.
- Ti je gruaja e pastorit?! - i thashë unë i çuditur.
- Pikërisht ajo – tha - ai është babai i tetë fëmijëve të mij.
Kur u ndamë i ceka me buzët e mija shpinën e dorës së saj në shenjë mirësjelljeje dhe i thashë se e kishte bekuar Zoti.
Ajo më tha prerazi:
- Zoti të bekoftë edhe ty!
Kur nuk kishin kaluar as tre ditë nga mesha e së dielës, nuk e di se pse, por mua më mori malli për Main. Ajo fjalia që tha se "... dhe të mendosh se kjo grua që ke përballë e ka burrin pastor..." ma kishte prishur qetësine.
Nuk e besoja që ishte një fjali ankuese për të shoqin, edhe pse, nuk kam pse ta fsheh unë si të tillë e mora...
M'u duk sikur u hap një dritare e vogël ku edhe unë të vija si vazo me lule, qoftë edhe me lule të vyshkura, ankimet e mia, të cilat i mbaja të ndrydhura se ashtu e thoshin zakonet e vendit ku isha lindur e rritur unë...
I mahnitur prej guximit të Mait për t'u ankuar për pastorin, babain e tetë fëmijëve të saj, unë mendova si kalorës që i gjendet në krah shokut që ka marrë plagë në luftë.
Të mos e zgjas, e ftova Main për një drekë në një restorant të cilin ia lashë ta zgjidhte ajo.
Mai nuk hezitoi dhe e zgjodhi edhe restorantin edhe ditën kur do të drekonim bashkë.
- Nesër - më tha - të pres në orën dymbëdhjetë tek restoranti "Five guys" në rrugën George Washington...
Të nesërmen nuk shkova fare në punë, a thua sikur do të takohesha me mbretëreshen e Anglisë dhe jo me Main, gruan e pastorit që ma kishte rrëmbyer vëmendjen me Anglishten e saj...
U lava, u pastrova, vesha rrobat më të mira që kisha, u parfumova dhe mora rrugën për tek restoranti " Five guys".
Në restorant hyra nja një çerek ore më parë se sa ora e lënë për takim me Main.
Të them të drejtën restoranti nuk më pëlqeu, por nuk ishte zgjedhja ime. Ishte një tip fast food me vetëshërbim, jo nje restorant klas siç endërroja unë të ishte...
Kur hyri Mai në restorant unë i harrova të gjitha këto, me shpresë se Mai do të kënaqej, por Mai ma preu shkurt:
- Kam vetëm gjysmë ore kohë, dhe nuk jam shumë e uritur. Do marr vetëm ca patate të skuqura dhe nje kanoçe Coca cola dhe aq. Dhe do iki. Erdha vetëm të të shoh...
Mua sikur më ra tavani në kokë. Mendoja se Mai do të rrinte së paku ndonja një orë me mua dhe, ndoshta në ndërkohë, pas bisedës kokë më kokë me të, unë do ta mësoja të vërtetën nëse ajo ishte ankuar apo jo për pastorin, apo thjesht e kisha unë një iluzion të tillë...
Nuk qe e thënë. Mai mori pjatën me patate të skuqura, kërkoi salcën e domates, të cilën ia solla vetëtimthi dhe filloi të hajë. Ndërkaq dikush i bëri një tekst mesazh dhe më kërkoi ndjesë se do t'i kthente pergjigjen aty për aty.
I thashë se e mirëkuptoj në urgjencën e saj. Dhe ashtu ra një heshtje për nja dhjetë minuta...
Unë po përtypja krejt pa dëshirë një hamburger dhe po thosha me vete se as që kisha për ta marrë vesh kurrë nëse Mai u ankua për pastorin apo jo, sikur edhe njëzet ftesa të tjera për dreka t'i bëja në të ardhmen...
Kur kishin mbetur edhe pesë minuta nga dreka, Mai tha:
- Të më falësh që nuk të kushtova vëmendje. Qe im shoq, pastori. Ai çdo ditë më çon tekst mesazhe dhe i mbetet qejfi po të mos i pergjigjem aty për aty. Unë kuroj vetminë e tij...
- Çdo ditë? - u bëra kurioz unë.
- Çdo ditë, me përjashtim të të dielës, kur unë përkthej në kishë meshën për vizitorë të huaj si ti...
Dhe ikëm...
Mai e kuroi edhe sot vetminë e pastorit, ndërsa mua do të më duhet të pres gjer të dielën kur të dëgjoj përkthimin e saj në kishë...
©Sami Milloshi



