Ankth dhe tmerr - Tregim nga Sami Milloshi
Edhe mua si gjithë të tjerëve më ftuan në mbledhjen online. Tema ishte për kthimin në zyra pas pandemisë. Do të na trajnonin se si të menaxhonim stresin dhe ankthin gjatë kthimit në zyrë.
Me thënë të drejtën, mezi prisja që, më në fund, të thosha edhe unë disa fjalë për ankthin tim.
Ajo që mua më tmerron është nëse zyra ime ka mbetur po ajo që ishte si madhësi, apo ka ndryshuar. Është bërë më e madhe, apo është zvogëluar?
Është shëndoshur apo ka humbur në peshë? Është thinjur apo i ka lyer thinjat me bojë? E quan veten burrë apo grua? Apo zyra ime tashmë nuk ka gjini fare?
Jam në ankth nëse do të gjej ajër të mjaftueshëm në zyrën time. Nëse nuk ka, me se do të funksionojnë mushkëritë e mia? Apo tani që jam i vaksinuar nuk kam nevojë për mushkëri fare?
Pastaj, pastaj, ajo më kryesorja: karrikja ime! Ka mbetur ajo që ka qenë me katër këmbë prej druri që prekin dyshemenë, apo është bërë karrike që rri në ajër dhe rrotullohet virtualisht?
Po më e tmerrshmja është kur mendoj se do vijnë njerëz në zyrën time dhe unë nuk kam për të ditur t'i pres siç i kam pritur më parë, madje duke iu ofruar edhe kafe me biskota...
O Zot i madh çfarë zakonesh të mira kam pasur para pandemisë dhe nuk di se ku i kam tani...
Pastaj, pastaj, ata që do të trokasin në zyrë, do jenë sërish me maskë, apo do ta kenë të zbuluar fytyrën? Se, po qenë të zbuluar, siç kanë qenë që kur i ka bërë mëma, mua do të më bjerë pika. Dhe, nuk do të ketë bir nëne që të më ringrejë më në këmbë. Fytyra e zbuluar mua tashmë më kall tmerrin, më keq se katallani në fëmininë time...
I zhytyr në dilemat e mia për rikthimin në zyrë, të cilin e perjetoj sikur po më dërgojnë në Afganistan të luftoj me talebanët, e pyeta të dashurën se si mund ta hiqja gjithë këtë ankth që kam. E dini çfarè më tha?
- Mos u kthe fare, po pate kaq tmerr... Kaq e thjeshtë është!
©Sami Milloshi



