Krijimtari

E shtuna komuniste në Nju Jork - Nga Albana Lifschin

Albana Lifschin - Charlotte, North Carolina

Sot në Metro më zunë sytë një thënie të Leninit:

“Nëse vazhdoj të dëgjoj Apasionatën e Bethovenit, nuk do të jem në gjendje të mbaroj Revolucionin".

Përsëri Lenini, - thashë me vete. Eshtë hera e dytë që e "takoj" Leninin në Manhattan.

Hera e parë kishte ndodhur 10 vjet më parë.

* * *

Atë të shtunë që unë takova gazetaren Hellen dhe avokatin Evergreen e quajta “E shtuna komuniste”.

Jo sepse kjo kishte të bënte me ndonjë farë vullnetarizmi leninist, por sepse ishte një koinçidencë e jashtëzakonshme: Kisha takuar dy amerikanë me pikpamje komuniste në të njejtën ditë dhe pikërisht në Nju Jork.

Uendi, një e njohur e rastit, më kishte pyetur në telefon nëse do të më pëlqente të takoja një shoqen e saj, gazetare të Rojterit e cila kishte kuriozitet të njihej me mua. Unë heshta. “Kuriozitet të  njihet me mua”- e përktheva jo me mua personalisht, por me dikë që ishte nga Shqipëria. Ishte koha e skemave piramidale dhe gazetat këtu shkruanin për pështjellimin e madh që po ndodhte në Shqipëri. Revolta e njerëzve për paratë e humbura kishte arritur kulmin. Madje atë javë pata një telefon nga një redaktor i Nju Jork Post-it i cili më pyeti nëse pata humbur edhe unë në këtë lojë. I thashë që kisha humbur vetëm 1000 dollarë, por të tjerët kishin humbur me mijëra. Duket gazetarët mblidhnin fakte nga komuniteti shqiptar. Tani kjo shoqja e Uendit ndoshta donte të mësonte diçka më shumë.

Uendi më dha adresën e gazetares si dhe më siguroi që i kishte bërë edhe përshkrimin tim. Gjithë puna ishte t’i bëja një vizitë në shtëpi të shtunën n’ora 11 të mëngjezit.

-Në orën një pasdite, - sqarova unë, - kam një intervistë pune me avokat dhe nuk di nëse do më dalë koha për të dyja. Dhe për më tepër intervista është në Bruklin ndërsa Hellen në Manhattan.

-Të siguroj që do të dalë koha, - tha Uendi. Hellen është gjithmonë shumë e zënë, kështu që nuk besoj të të mbajë shumë dhe pastaj mund ta marrësh trenin në Grand Central dhe për një gjysëm ore je në Bruklin. E pranova arsyetimin e saj. Pikërisht n’ora 11 paradite ndodhesha pranë derës së gazetares Hellen, në Manhattan.

Kur dera u hap në të u dha një vajzë bionde rreth të 30-tave me një palë streçe të zeza e një bluzë pambuku ngjyrë trëndafili, të ngushtë që i nxirrte në pah gjoksin e këcyer. Hellen më hodhi një vështrim të shpejtë dhe bëri të pyeste nëse “isha unë ajo ...”

-Po, unë jam! - e sigurova pa e lënë të fliste dhe ajo me një buzëqeshje të lehtë mirëkuptimi më ftoi brenda. Nuk arrita të ve re apartamentin pasi vemendjen time e mbajti një pikturë e madhe e Leninit që kishte zënë tërë faqen e murit përballë derës. Sa një njeri i gjallë në këmbë Lenini qëndronte me dorën e tij të shtrirë përpara siç e kishim përjetsuar në imagjinatë. Mbeta pa mend!

“Lenini!”- thashë duke vështruar e çuditur Hellen.

-Kam qenë me shërbim në Rusi, më spjegoi ajo, - dhe atje e mora. Ishte një park që quhej “Parku i portreteve të rëna”. Ky ishte një nga ata.

-Po a e di ti kush ishte Lenini?

-Kam lexuar një libër, tha Hellen - më ngjan se ka pikpamjet e Marksit.

-Ai është zbatuesi i teorisë së tij - thashë unë dhe pa kuptuar po hynim në një bisedë politike.

-Po ti nga e njeh? më pyeti Hellen papritur.

Unë vura buzën në gaz nga kjo pyetje që m'u duk aq naive.

- Ne e kemi patur deri vonë statujën e tij në qendër të kryeqytetit.

-Kuptoj, - tha Hellen.

-A mund të të pyes përse e mban? - e pyeta (Dhe instiktivisht për pak shtova: Nuk ke frikë?)

-Çeshtje preferencash, tha ajo. Ai është shkencëtar, një lloj shkencetari i fushës njerëzore.  Në fakt unë kam patur gjithnjë kureshtje të dija se si e ndjen veten njeriu në një shoqëri komuniste. Ju keni jetuar gjithë jetën atje, ç’farë u shtyu të vinit këtu?

Ne folëm gjatë rreth kësaj teme dhe përsëri nuk isha e sigurtë nëse Hellen më kuptoi apo jo. Asaj i bëri shumë përshtypje kur dëgjoi që mjekësia ishte falas tek ne.

-Edhe dentisti? - pyeti ajo

-Edhe dentisti është falas! - thashë unë.

U ngrita duke parë sahatin e murit. U ngrit edhe ajo.

-Paç fat me intervistën! Më uroi Hellen tek po hyja në ashensor. 

* * *

Në Bruklin, King's Highway, nr. 28 lexova emrin e avokatit: M.Evergreen-Avokat

I rashë ziles dhe dera u hap automatikisht. U gjenda në një holl të vogël ku ishin vetëm katër karrike përballë sportelit. Sekretarja e avokatit më zgjati një formular të thjeshtë për ta mbushur. Në formular kërkohej të shënoja emrin, adresën, shkollën që kisha bërë, eksperiencen në punë si edhe disa ushtrime të thjeshta matematike e algjebrike. Ndërkohë pranë meje erdhën edhe tre kandidate të tjera për t’u intervistuar. Ato bënë të njejtën gjë. Pritëm edhe 15 minuta pasi i kishim dorëzuar formularët. E para që e thirrën për intervistë nuk isha unë, sipas radhës, por ajo që erdhi e dyta. U kthye pas 10 minutash duke na uruar ditën e mirë. Unë u ngrita nga karrikja me një ndjenjë të lehtë emocioni. Por përsëri për çudinë time sekretarja thirri kandidaten tjetër. Po kjo? - thashë me vehte - “Padrejtësi në zyrën e avokatit!” Përfundimisht u ula përsëri duke përgatitur veten se do mbetesha e fundit. Ndodhi pikërisht ashtu. Unë mbeta e fundit. Sekretarja më ftoi brenda me një lëvizje të lehtë të kokës. Hyra në zyrën e saj dhe prej andej kalova në zyrën e avokatit. Ai ishte një burrë rreth 60-tave, me flokë të zbardhur. I lëshuar në kolltukun e vet, zotëria më vështroi ngultas tek po afrohesha drejt tij.

-Nga Shqipëria?

-Po.

-Televizioni shtetëror?

Vura re se mbi mbi tavolinë kishte rezumenë time.

-E para gazetare që më vjen në zyrë për intervistë pune.

“Filloi ters,” i thashë vetes. Me kurajo!

-Di rusisht?

-Kuptoj.

-Po italisht?

-Kuptoj mirë.

-Si gazetare, e marr me mend që duhet të jesh trajtuar mirë atje, filloi ai me një ton të shtruar. Pastaj pyeti papritur: Pse ke ardhur këtu?

U skuqa e tëra. Mu bë se isha në zyrat e emigracionit. Unë vija të kërkoja punë e jo të jepja llogari pse kisha ardhur në Amerikë.

-Zotëri, unë kam ardhur këtu për të kërkuar punë, e jo për …

Mu kujtua nga studimet në institutin e biznesit që po ndiqja që intervistuesi nuk duhet të bëjë pyetje private.

 -Ulu! - më ndërpreu ai - prandaj të lashë për në fund se kemi më shumë për të folur bashkë. Para se të ulesha ai lëshoi pyetjen tjetër akoma më të çuditshme.

-Çfarë përdorin në Shqipëri që të mos shtojnë në peshë dhe që të mos sëmuren kur vijnë në moshën time?

Unë hapa sytë.

-Hudhra! - thashe pa menduar. Hudhra dhe raki.

Ai qeshi me të madhe duke zbuluar një palë dhëmbë të verdhë. Bëra be që ai njeri e njihte rakinë shqiptare.

-Kjo duhet të jetë vërtetë, tha ai. Që kur kam lënë duhanin unë po shtoj në peshë dhe kam frikë nga ndonjë atak zemre. Heshti pak dhe pastaj lëshoi pyetjen tjetër.

-A është falas shërbimi mjekësor në Shqipëri?

-Po, - u përgjegja unë.

-E di se sa pagoi një miku im këtu për një operacion zemre? 60,000 dollarë. Nuk është shaka, he? Sa paguan ti për qeranë këtu?

-Qeranë ku banoj? - I dhashë kohë vehtes, - 750 dollarë për dy dhoma e një kuzhinë.

- Po në Shqipëri sa paguaje?

U përpoqa të kalkuloj në mendje shpejt e shpejt

-Reth 40 cent. Po atëhere rroga ime ishte $9 dollarë, me tuajat.

-D.m.th. nga 9 dollarë rrogë, qeraja merrte vetëm 40 cent. Kurse këtu do të marrë gjysmën e rrogës mujore, kështu? D.m.th. ti punon dy javë në muaj vetëm për të paguar qeranë. Çfarë të mbetet?

-Zotëri, une i di të gjitha këto, por pa punë nuk paguaj dot asgjë. Kjo është arësyeja që erdha këtu tek ju.

-Ti nuk po më kupton se ç’dua të them, ma preu ai. Ti vjen këtu, kërkon një punë që do të mbulojë vetëm nevojat e tua minimale. Jo vetëm kaq, por sikur të ndodhë që të sëmuresh... E kupton tani se ç’dua te them? Ti e ke të ndaluar të sëmuresh se s’ke sigurim shëndetësor.

Ishte e qartë që intervista ime për punë kishte mbaruar pa filluar akoma.

-Po qe se unë do ta kisha jetën time aq të lehtë sa çe keni patur ju atje në Shqipëri, nuk do të vija në Amerikë.

Kishte qenë biseda më e çuditshme me një amerikan që mund të besoja se do të më ndodhte ndonjëherë në Nju Jork. Bisedën me Hellen tani e konsideroja njëfarë nxemje nga ç’po dëgjoja nga avokati Evergreen. Mu çfaq parasysh piktura e madhe e Leninit me atë dorën e shtrirë përpara sikur më thosh “Mirë se erdhe”!

-Prandaj ti nuk mund t’i përgjigjesh dot pyetjes time: Përse erdhe në Amerikë? Ç’të mungonte ty në vendin tënd?

Ai po më vështronte sikur kishte firmosur kthimin tim mbrapsht.

-Zotëri, - fola unë, për mua është shumë e çuditshme se sa lehtësisht i deklaroni ju pikpamjet tuaja pozitive për një shoqëri opozitare me tuajën. Dhe kjo nuk përbën kurrfarë problemi për ju. Sikur unë t’i publikoja mendimet e mia për sistemin kapitalist, kaq hapur në vendin tim, vetëm pak vite më parë, do të përfundoja në burg.

Vështrimi i tij kishte mbetur përsëri çuditërisht i qetë.

Unë ngrita e lodhur. Kisha kaluar një të shtunë komuniste pa bereqet.

©Albana Lifschin - Nju Jork, 1998.

Nga përmbledhja "Kafe Shkodra e Nju Jorkut", botuar nga Koha, Tiranë 1999.