Për hir të qenit - Tregim nga Sami Milloshi
Sami Milloshi - Boston, SHBA
Kur Dennis Smith u kthye në shtëpi me fytyrën e mballosur me një bandage, e shoqja Sharon u llahtaris.
- Ç'të ka ngjarë Dennis, kush ta shqeu fytyrën?
- Qeni i Presidentit - tha Dennis ftohtë.
Dukej që nuk kishte dëshirë ta ngiste më tej bisedën, megjithëse thellë-thellë në shpirt, e kishte një brengë që donte t'ia tregonte dikujt...
- Po si ndodhi? - pyeti Sharon.
- Ta lemë këtë bisede përgjysmë Sharon. Ndoshta e mbarojmë një herë tjetër.
- Dakord zemër - tha Sharon - Por ne do shkojmë në dasmën e motres tënde Jannet javen tjeter dhe njerëzit do pyesin se pse ti ke vënë bandage në fytyrë. Çfarë do themi atje?
- Do ta gjejmë një përgjigje deri atëherë - tha Dennis.
- Atë gjeje ti, unë di që të shqeu qeni i Presidentit... Se kështu më the ti, apo jo?
Dennis heshti. Një heshtje si prej heshtjes në varreza. Iu sollën ndërmend se edhe nja tre a katër roje të tjerë të Presidentit qenë kafshuar nga qeni i ri i Presidentit, por pakkush e kishte marrë vesh.
Dennis vetëm dinte se qenin e ri të Presidentit e kishin larguar perkohësisht të rehabilitohej nën mbikqyrjen e veterinerëve të specializuar për sjelljen e qenve në mjedise njerëzore.
Me shpresë se kur të kthehej qeni i Presidentit nuk do të ishte aq agresiv sa kishte qenë më parë, Dennis hoqi dorë nga ideja për t'u larguar në një punë tjetër, ndoshta jo edhe aq të famshme si ajo që kishte si roje i Presidentit, por gjithsesi, tek e fundit, më me shumë siguri për paqen e lëkurës të fytyrës së tij...
Në dasmën e motrës Jannet, Dennis tha se plagën në fytyrë e kishte marrë kur kishte qenë duke krasitur pemët në kopështin e shtëpisë. E shoqja Sharon kishte rrudhur buzët dhe kjo grimasë kishte bërë që dikush aty qe ishte specialist i gjuhës së trupit, ta cilësonte si gënjeshtër të pastër.
Kjo ishte edhe arsyeja pse Sharon e tërhoqi pak mënjanë Dennisin dhe me një mllef të përmbajtur i tha:
- Më mire të kishe treguar të vërtetën. Tashmë gjithë Bota e ka marrë vesh se qeni i Presidentit është agresiv dhe se për këtë arsye janë angazhuar veterinerët më të mirë ta kurojnë. Apo pate frikë se mos të pushojnë nga puna?
E pastaj çfarë? Nuk do vdisje për një copë bukë...
Tre javë me vonë qeni i Presidentit u kthye nga spitali ku kishte ndenjur për rehabilitimin e sjelljeve me njerëz të panjohur. Dukej edhe më energjik se me parë.
Por, ç'e do. Përsëri ia nguli dhëmbët e tij një rojeje tjetër, koleg i Dennisit në ruajtjen e Presidentit.
As këtë kafshim nuk e mori vesh kush. Sepse qeni i Presidentit ishte favoriti i gazetarëve symbyllurazi. Por, ne darkë Dennis ia tregoi të shoqes se si e pa me sytë e tij kur qeni i Presidentit ia përgjaku pulpën e këmbës së djathtë Majkut, shokut të vet.
- E çfarë pastaj? - pyeti Sharon.
- Si çfarë? - tha Dennis - Kjo është e patolerueshme. Unë nuk do të shkoj më në atë punë. Nuk dua të përgjakem përsëdyti në fytyrë.
- Ah, jo darling - ti do të shkosh në punë se nuk bën. Se kur u përgjake herën e parë nga ai qen, ti gënjeve dhe the se ishe vrarë duke krasitur pemët në kopështin tënd...
©Sami Milloshi



