Krijimtari

Dëshmia e qenit - Tregim nga Sami Milloshi

Kur u tha se Presidenti i ardhshëm, siç e quajnë, theu njerën këmbë duke luajtur me qenin, shumëkush u trishtua, ca e dyshuan lajmin, ndonjëri shprehu mllefin duke i dëshiruar t'i kishte thyer të dyja, dhe, ca të tjerë, si zakonisht, as që e vunë ujin në zjarr...

Vetëm komshia ime, zonja Susan, e mori me shaka.

Zonja Susan tha pak a shumë kështu:

- Gjithë sa thotë shtypi, është një anë e lajmit dhe vjen prej zotërisë që ka thyer këmbën. Duhet pyetur edhe qeni...

Po si? Po qysh? Po kur? Po kush do ta pyesë qenin?  Me këto pyetje të miat, zonja Susan u shashtis.

- Ti gjithnjë i ndërlikon gjërat, o zotëri. Eshtë fare e thjeshtë. Të pyetet zëdhënësi i qenit, nëse qeni pranon të japë një intervistë.

-  Unë nuk di nëse qeni i Presidentit të ardhshëm ka zëdhënës. Di që ai vetë ka zëdhënës. 

- Zëdhënësi i këmbës së thyer e dha versionin e lajmit. Ai tha se qeni ishte duke luajtur me të zotin.

- Ti dyshon se qeni nuk ka qenë fare aty kur presidenti i ardhshëm theu këmbën?

- Ore ti qenke tutkun fare. Jo, se mbahesh edhe si gazetar, si shkrimtar, si Van Gogh i katundit, e më the e të thashë. Nuk e thashë atë që hamendëson ti. Unë po kërkoj një burim të dytë informacioni, siç e kërkon shkenca për gazetarinë. Dhe, burim të dytë më të mirë se qeni, në këtë rast nuk ka.

Tek e fundit, i takon atij qeni të thotë si është e vërteta, sepse pas dy muajsh do të jetë "First Dog", domethënë Qeni i Parë midis miliona qenve...

Gjithë çfarë po bisedonim ne për këmbën e thyer të Presidentit të ardhshëm e mori vesh edhe komshia jonë, zonja Maria që e ka shtepinë në anën tjetër të rrugës. Edhe ajo ka një qen, Husky i thotë me përkedheli.

Kur theu këmbën një vit më parë, zonja Maria, meqë jeton në vetmi, e çoi qenin Husky në çerdhen ditore të qenve. Dhe Husky përjetoi, si të thuash, një muaj mjalti në shoqërine e qenve të tjerë. Kështu na tha Maria. Madje ajo shtoi:

- Kur u kthye Husky nga çerdhja e qenve, pasi unë u shërova, seç kishte një tis të lehtë depresioni që i dukej në sy. Dhe ia besoj. Atje në shtëpinë e përbashkët të qenve lehte si i barabartë midis të barabartëve, lehte solo ose mbante iso... Ndoshta ka lehur edhe në kor, këtë unë nuk e di, por do ta pyes...

Pas gjithë asaj feste qensh, është i kuptueshëm depresioni i tij se kthye me mua këtu në vetminë e basement-it të shtëpisë. Larg qenve të tjerë...

- Domethënë ti mendon se edhe Presidenti ynë i ardhshëm e ka çuar në çerdhe të qenve qenin e tij? - e pyeti Susan Marian.

- Nuk e di se çfarë ka bërë ai me qenin e tij, por unë për vete nuk mund ta lija në vetmi qenin tim, ndërsa bridhja spitaleve për këmbën time të thyer. Por, i jam mirënjohës Husky-t tim se ua percolli qenve të tjerë miq në çerdhe dhimbjen që kisha unë - tha Maria.

- E sheh? - m'u drejtua mua zonja Susan - nëse ti i thua vetes gazetar, mbathja këmbëve e shko t'i marrësh intervistë qenit te Presidentit të ardhshëm tek çerdhja e qenve. Atje do ta mësosh të vërtetën për këmbën e thyer të tij...

- Sa lehtë i merr gjërat ti moj zonjë! - thashë unë habitshëm - Po sikur të shkoj dhe të mos e gjej qenin e Presidentit të ardhshëm në atë çerdhe?

- Atëhere ti nuk bën të flasësh më kurrë për thyerjen e këmbës së tij - tha zonja Susan me ton të prerë.

Pas dy ditësh e takova sërish zonjën Susan në hollin e pallatit tonë.

- Vajte ta intervistosh qenin? - më pyeti ajo dhe e qeshura e saj u duk edhe në skaj të maskës...

- Po! - iu gjegja unë përmes një gënjeshtre të bardhë.

- E çfarë të tha? - ngulmoi zonja Susan.

- Ai vetëm lehte me ndërprerje - thashë unë si i zënë në faj. Dhe shtova - "Mua m'u duk sikur lehte për të zotin".

- O Zot i madh, prap me hamendje ti! As ti nuk vlen një grosh për gazetar, as ai nuk vlen të quhet Qeni i Parë - tha duke qeshur zonja Susan dhe mori ashensorin të ngjitej në katin ku kishte apartamentin e saj...

©Sami Milloshi