Për bukën e shpresës - Nga Sami Milloshi
Tjetri u habit llahtarshëm që unë iu shfaqa befas para syve. As e kisha parë e as më kishte parë ndonjeherë.
- Si erdhe këtu? - më pyeti.
- Me taksi - i thashë.
- Po pse erdhe? - pyeti.
- Sepse desha të di çfarë bëhet me shpresën time. - iu gjegja.
- E kam në sirtar - tha - mos ki merak. Pastaj ndërroi temën dhe pyeti sërish: ke ardhur të rregullosh dhëmbët?
- Jo - i thashë - kam ardhur të mbjell shpresën time, atë që ti e mban në sirtar.
- Ti nuk mund të mbjellësh shpresë se ti ike për bukën e gojës nga ky vend dhe e braktise... - tha tjetri.
Unë heshta pak. Të thuash sa një çerek shekulli heshta... Koka ime, me tre katër thinja aty këtu, u zbardh e u bë borë e bardhë saora...
Heshta për hir të shpresës që prej një viti dergjej në sirtarin e tij. Ndërkaq më vajtën sytë te mjekrra e tij e lyrtë dhe e palarë nuk dihej prej qyshkur...
Pastaj, si e mblodha pak veten dhe falenderova Zotin që më dha durim të mos e pështyja i thashë:
- Unë nuk ika për bukën e gojës, por ika për bukën e shpresës. Sepse, kur ika unë, nuk isha as pa bukë, as pa punë dhe as pa shtëpi. Isha i zoti të fitoja bukën me djersë. Për veten dhe për fëmijët. Por, ti nuk e di se çfarë është shpresa. Dhe, as ke se si ta dish se me se mbruhet buka e shpresës. Kurrë nuk ke për ta ditur...
Tjetri heshti si gur varreze.
Unë ika dhe e mbolla shpresën diku tjetër...
©Sami Milloshi



