Krijimtari

Aromat - Tregim nga Sami Milloshi

Në mëngjes më duket se më përkëdhel fati. Çdo ditë e shoh gruan kur bën zumba përballë një laptopi në dhomën e ndenjies. Vallëzimi i saj më jep edhe mua njëfarë gjallërie. Lum kjo, them me vete, hidhet e përdridhet sipas ritmit të muzikës, gjë që unë, le ta them hapur, nuk e bëj dot si ajo.

Nuk e kam provuar, por po ta provoja, ndoshta edhe nuk jam i zoti ta bëj fare, meqë e kam parë Diellin nja gjashtë vjet para saj në këtë botë...

Pastaj pyes veten, po kur ajo të mbërrijë në moshën time, a thua do të bëjë zumba në mëngjes siç bën tani? Por, më bëhet një lëmsh në kokë se nuk di se çfarë do të jem duke bërë vetë kur gruaja të mbërrijë moshën time të tanishme...

Pastaj bëj një kafe për vete me makinën e vogël të ekspresit. Më shijon shumë se e bëj vetë.

Gjatë kohës që unë pij kafen, gruaja ende vallëzon zumba dhe kjo i jep kafes sime një shije të veçantë. Të them të drejtën, i jep atë shijen e kafes turke të dikurshme kur ajo ma sillte me tabaka në tryezë. Atëherë nuk kishim makinë ekspresi, por veç atë mullirin e bronxtë të kafes, atë që na kishte lënë trashëgim gjyshi...

Kur ka mbaruar ora e zumbës për gruan, mua më ka ardhur ora të shkoj në punë. 

Dikur, kur vinte ky çast, unë i jepja asaj një puthje në buzë sepse e quaja si një dafinë e ditës sime, diçka si lutje për fat. Por tani, nuk e di se pse e kam harruar atë zakon.

Por, edhe që ta kem harruar fare, nuk mund ta them, sepse është gruaja ajo që e ka zëvendësuar puthjen me një pyetje, pothuaj të përditshme: "kur do ta lësh punën?"

Kjo pyetje më vë mua në gojë përgjigjen e atypëratyshme, që e kam në majë të gjuhës: ''Unë do ta lë punën, kur ti të lësh zumbën..."

Pastaj unë ndez makinën. Në vend të puthjes së dikurshme, i them me zë Zotit një lutje për të dashurit e mi dhe nisem për në punë.

Me vete kam marrë aromën e kafes së mëngjesit, aromën e djersës së gruas duke vallzuar zumbën. 

Nisem drejt nje zyre kubike ku nuk ka kurrfarë arome, megjithëse aty, për pesë orë i gjithë globi është në pëllëmbën time...

Gjer kur të vijë mëngjesi i së nesërmes të ndjej aromat e përditshme, jam i shtrënguar në muret e kubikut tim. Brenda atij kubiku akullnaja e algoritmeve si një zinxhir prangash të padukshme, rreket të më modelojë edhe se kujt duhet t'i them lepe dhe peqe...

Por unë, gjatë gjithë ditës e mbaj frymën time gjallë me aromat e mëngjesit dhe mezi pres që mëngjesi tjetër të vijë sërish...

Gjer mëngjesin tjetër, me siguri do të jetë ngjizur një foshnje në këtë Botë, ose ndoshta do ketë shpërthyer një lastar i ri tek pjergulla e rrushit në oborr të shtëpisë...

©Sami Milloshi