Më fal - Tregim nga Sami Milloshi
Kur kamarierja i vuri mbi tavolinë faturën e drekës, zoti Kudret u çudit pakëz.
Aty qe shënuar edhe një çaj i ftohtë që kushtonte katër dollarë. Ai kishte pirë vetëm ujë, sepse vetëm ujë kishte porositur.
- Po kjo shifër çfar është këtu?
- Oh, no, më fal, më fal, zotëri...
Zoti Kudret heshti. Zonjusha e mori faturën dhe me sa dukej vajti ta korrigjojë, shkurt të hiqte katër dollarëshin e çajit të ftohte të paporositur.
Sa çel e mbyll sytë, kamarjerja u kthye me faturën e re. Ndërkaq zoti Kudret ndërdyshej nëse ishte thjesht një gabim njerëzor, apo zonjusha e kishte bërë me qëllim.
Nuk merrej vesh aq më tepër pse makiazhi i rënduar i zonjushës, ia fshihte ate dritën e syve prej nga sidoqoftë, mund të merrte vesh diçka, qoftë edhe gjysmë të vërtetë.
I dorëzuar para fatit për ta lënë enigmë se si u shtua shifra e çajit të ftohtë, zoti Kudret nuk bëri asnjë përçapje t'i kërkonte shpjegime kamarieres. Por kur ajo i vuri mbi tryezë faturën e re, kur erdhi çasti për të shënuar shifrën e parave si bakshish, se ç'i hipi një dell hakmarrjeje: shënoi shifrën zero.
Sipas zotit Kudret, shifra zero e bakshishit do t'i jepte të kuptonte zonjushës, se sido të ishte shtuar çaji i ftohtë i paporositur, ai nuk mund të bëhej aq naiv sa ta merrte për të mirëqenë faktin se zonjusha kamariere e paskej shkruar ashtu, në nxitim e sipër dhe jo qëllimisht.
Zonjusha i hodhi një sy vëngër bakshishit zero dhe i vuri fytyrës një fashë buzëqeshjeje prej akulli.
Gjithë mbrëmjen zoti Kudret ishte në dilemë me vetveten se mos ndoshta e kishte tepruar kur kishte shkruar shifrën zero si bakshish. Mund ta kishte lënë bosh fare, mendonte, dhe kjo ndoshta do të ishte po aq nje dileme midis ndëshkimit dhe mosndëshkimit.
Tek e fundit ajo zonjushë e shqiptoi kërkesën për ta falur dhe e korrigjoi edhe faturën. Tani i mbetej zotit Kudret të dëshmonte se sidoqoftë, ia kishte pranuar të falurën që kishte kërkuar zonjusha.
Te nesërmen, të pasnesërmen, e kështu me rradhë për dy javë rrjesht vajti të hante drekë po te i njejti restorant, me shpresë, se mos ndoshta zonjusha me tualet të rënduar do t'i shërbente përsëri dhe ai, me atë xhentilesën e tij do t'i jepte dyfishin e bakshishit...
Por, nuk qe e thënë. Zonjusha qe zhdukur nga restoranti. E kishin larguar, apo ishte larguar me dëshirë të saj?
As njera as tjetra. Ishte edhe më keq: kishte pësuar një aksident automobilistik dhe kishte humbur jetën në një autostradë të mbuluar me akull.
- Kur? - pyeti zoti Kudret kamarierin.
- Të martën, si sot dy javë më pare - tha kamarieri.
E martë ishte edhe ajo ditë, kur për herë të parë në jetën e vet, zoti Kudret shkroi një zero për bakshish ndaj asaj zonjushe që nuk i mësoi as emrin...
Doli në rrugë. I bëhej sikur kishte vrarë një njeri, një vajzë që thjesht i shërbeu një drekë ne atë restorantin në skaj të autostradës...
©Sami Milloshi



