Njeriu me kostum blu - Tregim nga Sami Milloshi
Pastaj e mori fjalën ai.
Ai kishte një kollare të verdhë dhe kostum blu. M'u duk me shumë shije.
Tha se nuk kishte lexuar ndonjë libër për Nënën Terezë, por e kishte në zemër sikur të ishte nëna e tij.
Pastaj recitoi një poezi që i bënte bashkë të gjithë heronjtë tanë, duke filluar me Gjergj Kastriotin e deri tek më i fundit.
Si e mbaroi recitimin, u duk sikur u çlirua nga një ankth dhe fytyra i mori një shprehje të butë paqeje.
- Tani - tha njeriu me kollare të verdhë- unë kam një këshillë për këta të rinjtë që janë këtu: ta duan më shumë njeri tjetrin se kështu na këshillonte edhe Nëna Terezë.
Pikërisht në këtë çast unë i shquajta se gjysmën e dhëmbëve të sipërm nuk i kishte dhe e humba fare fjalimin e tij.
Fillova të hamendësoj se se si është e mundur që ky njeri me shije kaq elegante veshjeje, nuk kishte gjetur mundësinë të rregullonte gjysmën e dhëmbëve të sipërm të tij?!
Nuk ka pasur para? Apo thjesht nuk i kushton kujdes gojës së tij? E të tjera e të tjera...
Kur gjithshka m'u bë rrëmujë në kokën time, desha t'i them se Nëna Terezë do të kishte qenë shumë e lumtur po ta ndihmonte atë të kujdesej më shumë për gojën e vet.
Por, druaja mos ma merrte për ters. Druaja se mos ndoshta e gjymtoja atë dashurinë e tij për heronjtë.
Dhe ashtu u ndamë.
Unë heshta për gojën e tij prej oratori, ndërsa njeriu me kostum blu e tha çfarë pati për të thënë...
©Sami Milloshi



