Poemë çmëndurore - Nga Artan Gjyzel Hasani
çmëndina ka hapur dyert
edhe pse vend për pacientë të rinj nuk ka
njerëzit nguten të hyjnë
por unë nuk dola dot prej saj…
normalë nuk ka më kjo botë
normën e vranë në gjumë
metri u shkri, kishte qenë statujë dylli
të gjitha peshoret janë thyer
jeta jep shpirt në salla reanimacioni
ku djepi shkëmbehet lehtësisht me një varr
dikur të mënçurit i udhëhiqte më i çmënduri
tashmë të çmëndurit i udhëheq një idiot…
po nesër idiotëve kush do t’ua heqë udhën
përderisa nuk ua hoqëm stolin nën litar?
isha rehat në qelinë time mbyllur
me njerëz nga jashtë
dhe shul nga brenda
tradhëtuar nga hija e dritës
bëja dashuri me ëndrrat
tani vjen ti e më prish qetësinë
me sy të shqyer dhe zë të mekur
dhe më thua më bëj vend pranë teje
jemi njësoj të çmëndur…
por unë ndryshimin mes të çmëndurit
dhe idiotit
e kam shpjeguar shumë vite më parë
mbase e ke lexuar në vargun tim të vjetër
“të mënçur nuk ka më në botë
ata që ishin u çmëndën të gjithë
dhe nga bota i ndau përgjithmonë një mur
budallenjtë filluan të hiqen si të çmëndur
që t’i besojnë se edhe ata ishin të mënçur dikur…”
tashmë askush nuk di kush është
nga vjen ku shkon
këtej apo andej
i vetëm apo bashkë
besomë
bota e ka humbur mënçurinë
shumë kohë më parë
ditën kur të çmëndurit i kyçën brenda
dhe idiotët i lanë jashtë…
por tani që të gjithë janë bashkë
botës i humbi edhe ëndrra
jo vetëm e jotja
ajo normalja
por edhe e imja
e çmëndura…
(nga vëllimi poetik “IDIOTICUS”, 2022)
©artangjyzelhasani



