Krijimtari

South Station, mbrëmje vonë - Tregim nga Sami Milloshi

Po pres trenin në South Station të kthehem në shtëpi. Qëmtoj imtësitë.

E njejta reklamë në të gjitha hapësirat më thotë se dikush e ka blerë këtë stacion. Punë e madhe, sa kohë nuk më ka blerë mua dhe atë grua që flet me veten përballë tabelës elektronike që na thotë oraret e linjave...

Ja edhe dy pëllumba që kërkojnë ushqim tek këmbët e gruas që flet me veten. O Zot i madh, të qofshim falë, çfarë mrekullie ke bërë kur ia ke çuar ata pëllumba tek këmbët kësaj gruaje!

Kur pothuaj të gjithë rrudhin buzët për gruan që flet me veten, pëllumbat luajnë muzikën për monologun e saj.

-Charles unë të desha shumë, aq shumë sa ti nuk e kuptove asnjëherë. Nuk të la egoja e sëmurë dhe ike. Më le vetëm. Tani ku të mbytem unë?! Cilit tren t'i hip? Të shkoj në New York, apo në Washington DC? Sa herë unë vendos të vij atje ku je ti, ti që më braktise, treni anullohet...

Pastaj gruaja që flet me veten na drejtohet ne pasagjerëve të vonë:

-A nuk më thoni zonja dhe zotërinj, pse nuk ka asnjë linjë treni për mua? Ju të gjithë shkoni atje ku doni. Pse nuk ka një linjë të më çojë mua te Charles? Ja si thua ti?

Gruaja që flet me veten më ka drejtuar gishtin nga unë dhe pret përgjigje.

-Zonjë e di ti ku gjendet Charles?

-E di. Në mëngjez përgjon lindjen e diellit në skaj të oqeanit, kurse në mbrëmje numëron fëshfërimat e pyllit dhe dëgjon zërin e bulkthit...

-Nuk ka tren që e gjen atë stacion në këtë botë... - i gjegjem unë.

-Ashtu i thashë edhe unë kur iku e më la qyqe vetëm. Je duke ikur në askund, por nuk më dëgjoi...

Ndërkaq folësja njofton se linja e Middleborough, pra treni që do marr unë të kthehem në shtëpi, do të niset pas dhjetë minutash dhe mua më duhet ta ndërpres bisedën me gruan që flet me veten...

- Zonjë - i them gati gati me përgjërim - më duhet të largohem. Treni im niset për dhjetë minuta.

-Ah, edhe ti më braktise? Unë kujtova se do ma gjesh një linjë treni për tek Charles-i im.

Një sumbull djerse i rrëshqet në mjekrrën e bardhë dhe si hesht një hop, sërish më pyet:

-A të pret kush në shtëpi në këtë orë të vonë?

- Jo - i them.

-Ah, qenke edhe ti si Charles-i im, edhe ti udhëtoke drejt askundit...

-Jo, jo, unë e di se ku shkoj. Dikur kështu si ti edhe unë flisja me veten. Por, unë e vrava krenarinë time...

- Dhe pastaj?... - gati sa nuk shqeu sytë nga habia...

-Dhe pastaj shpëtova veten dhe të dashurën...

- Charles-i im nuk e bën dot. Të gjithë i dukeshin skllevër, edhe mua si të tillë më shihte, vetëm veten e mbante për njeri të lirë.

Tani në këtë orë të vonë është duke numëruar gjethet e lagështa të pyllit. Dhe unë jam këtu duke kërkuar një tren për askund...

©Sami Milloshi