Krijimtari

Shtrati - Tregim nga Sami Milloshi

Ajo që u pëshpërit në katund se Gjikë Varoshi ia kishte bërë benë të birit se do t'ia hiqte kokën doli krejt e pavërtetë. Fyerja që Dukagjini i kishte bërë të atit vërtet e kishte mërzitur së tepërmi Gjikën, por ky e kishte përmbajtur zemërimin. Tek e fundit, Duka, siç ia shkurtonte me përkëdheli emrin të birit, nuk kishte bërë gjë tjetër, veçse kishte ndërruar fjalët e të atit, kur ai kishte përmendur një shprehje të katragjyshit të tij.

Gjika kishte thënë shprehimisht se, sipas katragjyshit: "babë të mirë të bën djali, kurse burrë i mirë bëhesh vetë".

Duka, kush e di se për çfarë arsyeje këtë shprehje e tregoi ndryshe në një mexhlis ku Gjika nuk ndodhej.  Duka tha se i ati kishte filluar të plakej, t'i dhembnin gjunjët, të harronte kufijtë e arave dhe më në fund edhe të shpërfytyronte trashëgiminë gojore të katragjyshit.

Sipas Dukës, katragjyshi nuk paskej qenë shprehur ashtu siç thoshte baba Gjikë, por se tamam tamam, ai paska thënë: "Djalë të mirë të bën baba në të gjallë, por pas vdekjes mos i beso, se ta merr erzin!"

Gjika qe mërzitur fort. Jo për veten, se ai jo vetëm ishte gjallë, por edhe ndjehej ende i fortë si lis i ri në korie. Gjika qe trishtuar më shumë për të birin. Kur ky pizeveng, kishte thënë me vehte Gjika, m'i përtall fjalët e mia ende sa jam gjallë, merre me mend se si mund të m'i djallosë kur të kem ndërruar jetë...

Gjithë çfarë kishte dëgjuar se si ia kishte deformuar fjalët i biri, Gjika ia tregoi Vashës, të shoqes.

Vasha heshti, siç kishte heshtur gjithë jetën, gjer kur u thinj bashkë me Gjikën, ashtu duke u rropatur për bukën e gojës atyre rrëpirave e bokave që kishte gjetur tek Varoshajt qëkurse qe bërë nuse.

- O shpirti jem - i tha me zë të ultë Gjikës Vasha. - Duka don me u ba burrë sa je gjallë ti, por nuk po din se si...

- O zemra jeme - iu gjegj Gjika. - Zahmet e kam me ia mësue edhe një herë! Po ti shko e laje shtatin, bahu dritë e pritëm në shtrat...

Vasha bëri atë që tha Gjika, megjithse kishin vite që ngryseshin e gdhiheshin veçmas...

Kur i hyri Gjika në shtrat Vashës i fërgëlloi shtati. As ajo nuk tha asnjë fjalë, a as Gjika jo e jo. 

Ishte një natë me hënë të plotë dhe ato duar të fishkura ia dolën mbanë që pothuaj në një zë të pëshpërisnin një "Ah..." si trëndafil rinie...

Të nesërmen Vasha vajti tek shtëpia e Dukës që pa gdhirë. I rrëfeu fill e për pe çfarë kishte ngjarë në shtratin e vjetër të Varoshajve. Dhe vetëm dy fjalë i tha të birit:

- O Dukë, në atë shtrat je ngjizur edhe ti...

©Sami Milloshi