1 Korriku, Dita e Kanadasë - Nga Vangjush Ziko
Vangjush Ziko - Mississauga ON
BORËBARDHA E BOTËS
O tokë e mardhur e Veriut,
E zhveshe qyrkun e ariut.
U ul ky dielli të të puthë
Vetullkurorën, gushën fushë.
Panja e mbarsur nëpër ngricë
Po i jep gjethes së saj sisë.
Përrenjtë rendin si të marrë
Dhe thërmohen në Niagarë.
Ajsbergët, që të vijnë rrotull
Ia vure diademë kokës.
O Borëbardhë e Botës!
STREHË BUJARE
O Kanada, tokë e paanë
Nanurisur në djep të Veriut,
Veshur me bronxin e kuq të panjës
Dhe me gëzofin e ariut.
Ku e ke gjetur ti ngrohtësinë,
Strehë bujare e emigrantëve.
Vijnë nga deti, nga ajri vijnë
Me brenga mbushur përplot çantat.
Vijnë me plagë, drega në shpirt
Ndjekur nga skamja, nga zhgënjimi,
Drejt bardhësisë tënde që shndrit,
Vijnë të gjejnë paqen, shërimin.
Dhe ti i pret si arka e Noes,
Që priti gjindjen e përmbytjes.
Shekujt kalojnë, epokat ndërrohen,
Globi ynë mbetet sfidues.
NJË GJETHE PANJE MË PËRSHËNDETI
U ngula te ky vend i sheshtë
Ku fryn thëllimi boreal.
Një gjethe panje më përshëndeti:
Mirë se erdhe, emigrant!
Harro kush ishe e prej nga vjen,
Filloje jetën nga e para,
Me mua hije bëj mbi dhe'
Me vesën time shpirtin laje.
Duaji miqtë, që këtu gjete
Dhe ndjehu qytetar i Botës,
Buda dhe Krishti dhe Muhameti
Nën hijen time i falen Zotit.
DY STINË BASHKË
Pranverë,
Pse kaq me dhimbje
ëndrrat e mia lindin,
Bashkë me fletët rritet
Gjembi i hidhërimit.
Gjethen e panjës mbaj
në buzë si një dafinë.
S'erdha jo, te ky skaj
aspak të kërkoj lavdinë.
Këngë të reja më dhe
pranverë e akulluar.
Gjembi i mallit s'fle,
rritet në kraharuar.
Në gjoksin tim dy pranvera
edhe dy dimra bashkë.
Më rrahin në gjoks dy zemra
Si në legjendën e lashtë.
©Vangjush Ziko
*Nga vëllimet: “Ditari kanadez” (2005) dhe “Këtu pranë polit të Botës” (2011).



