Krijimtari

Për hir të një pikture - Tregim nga Sami Milloshi

Njeriut nuk i rastis shpesh me qenë i pranishëm kur vihet një pikturë diku në një mjedis publik. Aq më pak, kjo ka gjasë të ndodhë kur hiqet një e vjetër e bërë njëqindepesëdhjetë vjet më parë. Mua më rastisi...

Kur e prunë pikturën e re unë u gjenda aty. Ishte e përmasave të mëdha. Kjo ishte ajo që më ra në sy, por nuk ma bëri zemra tak për bukurinë.

Bosi qe aty. I shndriste fytyra nga vetëkënaqesia.  Unë, përkundër asaj ndjenje për diçka krejt të zakonshme që më shkaktoi piktura, çuditerisht u nguta dhe thashë: “Më pëlqen”.

Bosi as që ia vuri veshin fjalës sime. Me sa dukej ishte më shumë i shqetësuar se ku do ta vinte pikturën, se çfarë mendonim ne të tjerët për të.

Pasi e provoi se si mund të dukej në një vend të dukshëm dhe me më shumë dritë, në vend të një pikture të vjetër, që edhe mund të hiqej, bëri pak më tutje dhe tha se “te ajo qoshja atje nuk duket keq...”.

Unë heshta. Heshtën të gjithë. Askush nuk bzani.

Se mos ishte hera e parë që kishim heshtur. Ne heshtnim shpesh, për gjëra te vogla dhe për gjëra te mëdha... Ne sikur ishim vaksinuar të gjithë në një ditë me vaksinën e heshtjes.

Kjo vaksinë për hir të së vërtetës, na dukej sikur i ruante jetët tona nga pasiguria. Me heshtje ne e kishim garantuar që bosi të mos na binte me shqelm, dhe ne, dashur pa dashur, të gjendeshim në mes të katër rrugëve...

Unë ika. Ata ende po rrekeshin të gjenin një hapësirë për pikturën.

Të nesërmen piktura u shfaq në atë qoshe që zgjodhi bosi. Por, të pasnesërmen dikush kishte shkruar në mur, ngjitur me pikturën: “Më e shëmtuar nuk ka si bëhet...”.

Bosi e mori vesh çfarë qe shkruar dhe thirri drejtorin e mirëmbajtjes të ndërtesës së kompanisë. I tha ta fshijë urgjentisht çfarë qe shkruar.

- Kjo nuk e zgjidh problemin - tha drejtori i mirëmbajtes - Ata që nuk e pëlqejnë pikturën mund ta shkruajnë përseri diçka të njejtë.

- Dhe ne përsëri do ta fshijmë - tha bosi.

- Por ata përsëri mund ta përqeshin me fjalë edhe më të pista. Mund ta quajne qelbësire dhe edhe mund të mblidhen e të brohorasin në kor “ta heqim qelbësiren!”.

- Dhe ti aty do jesh përsëri për ta fshirë - tha bosi - deri sa ata të familjarizohen me shijet e mija...

- Por kjo është e pamundur, sir...

- Atëhere - ne do të përdorim gas lotsjellës - tha bosi.

- Unë këtë nuk mund ta bëj - tha drejtori i mirëmbajtjes.

- Atëhere që nga ky çast ti je i   pushuar nga puna...

Të nesërmen bosi më thirri mua dhe më ofroi detyrën e drejtorit të mirëmbajtjes të ndërtesës së kompanisë.

- Po pse më zgjodhe pikërisht mua sir? - guxova ta pyes unë bosin.

- Sepse ti je më i dalluari nga të gjithë këtu për heshtjen kur flas unë. Heshtja jote është epike, “golden silence”.

- Por, sir, ta dish se unë jam njeri i dhembshur, nuk kam zemër të hedh gas lotsjellës për të mbrojtur një pikturë që, me e pakta, është e shëmtuar...

- Ah, tha bosi - tani u kujtove ti, je tepër vonë të mohosh atë pëlqim që ke pohuar kur unë e solla pikturën ditën e parë. Tani, zgjidh e merr, ose prano të ruash pikturen që vura unë në qoshen atje, ose ik edhe ti që nesër dhe mos të ta shoh surratin më këtu...

Ndërdyshas, me zgjedhë me ruajt fytyrën time apo pikturën, edhe unë, më në fund,

lavdi Zotit, zgjodha me mos ia pa surratin atij, bosit tim...

©Sami Milloshi