Krijimtari

Natë atdhetare - Tregim nga Sami Milloshi

Jemi mbledhë me përkujtue Ditën e Flamurit. Shumë shumë bahemi nja pesëdhjetë vetë, me gjithë fëmijë.

Na ka kap malli me kërcy. Edhe mu. Po jemi djegë edhe me ndrrue dy pare muhabet si shqiptari me shqiptarin. Se n'dhé të huej edhe qumshtin e dallanyshes e gjen, po nuk mundesh me i folë Shqip atij që të ka punësue. Se prandaj ke ardhë, me mësue gjuhën e atij.  Mandej me e futë në llogarinë e tij bankare trunin tand dhe djersën tande. Çka të teprojë, t'i jep zotnia ty mbrapsht. Ti, në daç ji i kënaqun, në daç mos, punë për ty. Shans tjetër nuk ke...

Para se me knu Hymnin e Flamurit, dikujt aty i kërceu delli në ballë dhe filloi me e sha kët vend qi na ka pranue me jetu këtu pasi e kena lanë vendin e t'parve.

- Ushqimi këtu është mizerje fare, - thotë ai tipi me qeleshe me majë.

-Po pse? - e pyes unë.

- Po nuk më shijon bre vllaçko. Nuk gjej asgjëkundi mo, ndonjë kukureckë, ndonjë tavë gjize, ndonjë imam bajalldi, a ku di unë tjatër...

- Sa vjet ke këtu? - e pyes.

- Pesë vjet, - thotë tjetri.

- Po ti sa ke?

- Pothuaj nji çerek shekulli, - i gjegjem.

- E po prandaja nuk ankohesh zotrote, të është bërë lëkura shollë tyja... Ti e ke harruar fare mbase tavën e dheut dhe imam bajalldinë...

- Jo jo, - ia kthej unë. - E ha virtualisht tavën e dheut kur filloj me knue Hymnin e Flamurit...

Tjetri rrudhi turinin. Ndoshta nuk e mori vesh çka i thashë...

Si nuk meu e shamja e ushqimit, ai qi i kishte vu dry gojës deri tash iu turr tu sha spitalet.

- Nuk më pëlqejnë fare oré. Vajta, që thua ti, për shpatullën, se kisha një të therur si me thikë. Nuk më preku kush me dorë, kupton mo?

- E marr vesh, - i thashë. - Po a nuk m'thu mu ti, a ke a jo sigurim shnetsor?

-Jo bre, nuk kam se punoj me kesh...

- Me dhanë kesh te doktori këtu shkon për lesh or majk - thashë unë.

- Po ce o derëzi vajtkam për lesh. Kur vajta ne Tiranë ia dhashë shuk në dorë doktorit dhe për birinxhi shpatulla...

- Hallall, - thashë unë. A nuk të dhem ma shpatulla?

- Jo bre, për kokë të mamasë, jo.

  - Amin, - thashë unë.

Si kaloi një copë herë ne i kishim zbrazë pjatat me ushqimet që kishim gatu vetë. Sa nuk na plasën bulçitë t'u hangër pastiço, tavë dheu, japrak, byrek me presh, revani e bakllava dhe, në fund krejt, ka nji shishe me hardallaj rrushi që e kishte ba vetë Rushiti prej Juniku...

Unë piva dy shishe me hardallaj dhe m'u ba se isha gati me shku n'Hanë...

I erdh koha me knu Hymnin e Flamurit. U ngritëm n'kamë, vumë durt n'zemër dhe sa nuk i shqyem muret e kishës presbiteriane t'Quincit me jehonat a zanit shqiptar...

Kur maroi hymni, ai që e kishte sha ma fort ushqimin Amerikan, m'u afru e m'tha ke veshi:

- Kujtova se ishe nga ata tradhëtarët e Hymnit që i përvidhen luftës, po ti e këndove himnin fjalë për fjalë, kurse ne të tjerët gjysma gjysma...

- Po jo mor burrë, edhe ju e dini hymnin, po kushedi keni qenë t'u përtyp naj copë byreku, prej byrekut atdhetar...

Tjetrit i qeshi çehrja dhe shtoi:

- Ti je bërë krejt amerikan, nuk të dëgjova të shash Amerikën për asgjë prej gjëje.

- O vllau jem, - i thashë unë - nuk asht merita jeme. Asht merita e nanës qi m'ka msue mos me u ankue n'vend t'huj.

- N'paç me u ankue biro, - m'ka thanë nana - hypja tajares e kthehu n'Shqypni se nuk je tu shku për buk' t'gojës, por për buk'n e shpresës...

Tjetrit sa nuk i dolën kokërdhokët e syve përjashta prej habie. A thu se unë isha tue i shpjegu ligjin e Njutonit, e jo do fjalë t'thjeshta qi nana m'i pat thanë para se me ndrrue jetë.

- Domethënë ti je i kënaqur njëqind për qind këtu?

- Unë nuk kam qenë nxanës i mirë n'matematikë o vllau jem. Nuk di me ba fort llogari, - thashë unë.

- Po ti ngjan “happy man”, - tha tjetri...

- Nuk asht plotësisht ashtu o vllau jem... E kam nji okë flori me trishtim kur shkoj n'breg të detit në Nantasket...

- Po pse?

- Sepse aty, bash njaty sigullat ma shqyejne shtatin tim e m'lanë veç kockat, si me qenë guaska midhjesh bosh... Kjo asht rraskapitëse për mu...

- Po ti je gjallë dhe je këtu me ne duke kënduar Himnin e Flamurit, çfarë thua bre byrazer?

- Jam edhe nuk jam. Kur sigullsat ma shqyejnë shtatin e m'lanë veç kockat, unë shof qi skeleti jem rreket me fluturue me kapërcye oqeanin prej Nantasket me mbërri n'breg t'Adriatikut. Edhe kur knoj Hymnin e Flamurit, ta dish, e knon skeleti jem, se mishin ma kanë ngranë sigullsat...

©Sami Milloshi