Krijimtari

Gënjeshtra e bukur e kësaj jete - Nga Vangjush Ziko

*   *   *

Do desha të mbetesha ky që jam,

Do desha të kisha kaq sa kam,

Nuk dua me vete të marr asgjë,

Mbi tokë të gjitha do t'i lë,

Vetëm një gjë do marr me vete

Gënjeshtrën e bukur të kësaj jete

Që të mos veli ju dhe dalldisi,

Ëndrra parajse kurrë mos stisni!

*   *   *

I zgjata ketrit një varg të brishtë

Me fjalë hala si degë pishe

Edhe iu luta të kërcejë,

Jetën e tij të ma rrëfejë,

Si kaq i qetë dhe kaq i lirshëm

Bredh nëpër botën kaq të përbindshme

Mbi këtë dru të jetës sonë

Ku fjalë boshe vetëm gjethojnë,

Ku varen boçet e thata ëndrra

Me helm e mjaltin tonë brenda.

Ia zgjata ketrit, por s'm'u afrua:

Gjuha e njerëzve s'është për mua!

*   *   *

I drunjtë ishte kali i trojës,

Prej druri qe kali im lodërz,

Me këmbë druri ec invalidi,

E drunjtë çanga e manastirit,

Me lugë druri hëngrën stërgjyshët,

Në koçek druri rriten këlyshët.

Dhe djepi im ishte prej druri,

Dru do të jetë dhe qivuri.

Sa mirë dru njeriu të ishte,

Bota të ishte veç një ahishte,

Të fliste vetëm me gjuhë fletësh

Me erë lulesh dhe mjaltë bletësh!

©Vangjush Ziko