Kronikë nga funerali i zonjës Patti - Tregim nga Sami Milloshi
Mua m'u dhimbs që zonja Patti ndërroi jetë ashtu shpejt e shpejt si ato fundet e befta të tregimeve të O'Henrit. Nuk i gëzoi as edhe dy vjet të pensionit. Por, nuk ke çfarë t'i bësh fatit. Fatit duhet me i shkue mbrapa, se po i dole përpara, të shkel me kambë, më thoshte nana në vegjëlinë time...
E bleva nje tufë me lule enkas për zonjën Patti. Thashë me vete t'ia vë te arkivoli kur të shkoj te shtëpia ku mbahej ceremonia e funeralit.
Kur mbërrita në parking një mizëri njerëzish sapo dilnin nga makinat. Kishte rënë nata. Ishin veshur me veshje serioze, por lule kurrkush nuk mbante në dorë.
Dikush ngjitur me makinën time bisedonte në telefon brenda makinës së tij. Më shkoi ndër mend ta pyesja nëse duhej ta merrja me vete tufën e trëndafilave apo jo. Por, ndërrova mendje, sepse u druajta mos ndoshta do ta merrte për injorancë pyetjen time.
I thashë vetes: ti je i huaj këtu, je vërtet qytetar amerikan, por nuk je amerikan i le e rrit këtu, nuk i di zakonet e këtushme, hap sytë dhe bëj si bëjnë të tjerët...
Të tjerët tek porta e hyrjes i drejtonte dikush se si të përshkonin sallonin gjer tek salla ku gjendej arkivoli i zonjës Patti.
U futa në rresht edhe unë. I shihja me bisht të syrit çfarë bënin për ta nderuar zonjën që kishte ndërruar jetë.
Njëri pas tjetrit shkruan emrat e tyre në një fletore që dëshmonte se kush kishte ardhur në funeral. Shënova edhe unë emrin tim. Pastaj do të mbanim radhë përsëri për t'u afruar te arkivoli.
Edhe një herë i thashë vetes: tani hapi sytë mirë.
Pashë se uleshin në gjunjë tek stoli ngjitur me arkivolin, heshtnin pakëz, ulnin kryet, bënin kryqin dhe çoheshin më këmbë. Pastaj drejtoheshin të takoheshin me të afërmit e zonjës së ndjerë...
Ashtu bëj edhe ti, i thashë vetes. U afrova te stoli, u ula në gjunje dhe... Dhe bëra për herë të parë kryqin në jetën time...
Askush nuk me kishte mësuar se si ta kryej atë rit. Ne ato pak sekonda m'u ndërmend minarja e xhamisë së qytetit të vegjëlisë në Shqipëri. Dhe m'u duk se edhe aty në atë procesion të thjeshtë ku sapo bëra kryqin, gërmadhat e saj më ranë para këmbëve...
E bëra mirë kryqin apo jo? Ata që ishin pas meje e dinin nëse e bëra si duhej, por isha i sigurtë se askush prej tyre nuk do të më qortonte edhe sikur ta kisha bërë keq.
Si i shtyva me këmbë rrënojat e xhamisë, u kujtova se nuk jam më fëmijë. U përmenda se, si gjithë të tjerët duhej të mos rrija më në gjunjë. Duhej të ngrihesha më këmbë dhe t'i jepja dorën burrit të zonjës se ndjerë Patti.
Por, çfar do t’i thosha? Ky ishte ai çasti që nuk mund të kapërcehej thjesht duke parë me bisht të syrit se çfarë bënin të tjerët. Ky ishte çasti im, bash i imi për me tregue se pse kisha vajtur unë në funeral.
U afrova, i dhashë dorën zotërisë, i thashë në anglisht se zonja e tij ishte një zonjë e madhe dhe një mikeshë e shkëlqyer e njerëzve të zakonshëm si puna ime. Pastaj, e humba toruan fare, sepse nuk arrita ta kontrolloj vetveten. Nuk e di se si e qysh, por instiktivisht thashë në gjuhën shqipe atë shprehjen e njohur që themi ne shqiptarët:
- “Të rroni vetë për zonjën dhe paçi veç gëzime pas sodit”.
Tjetri shtangu pak, por e kuptoi që nuk po i flisja anglisht dhe vuri buzën në gaz në shenjë mirekuptimi. Si të thuash, bëri një gjest sikur kuptoi diçka hyjnore për të cilën ishte mirënjohës...
O Zot i madh thashë me vete, po pse nuk e përktheva që në shtëpi në anglisht këtë që m’u dha t’ia thosha në Shqip ...
Në fund u dhashë dorën motrave të zonjës Patti. Ato ishin të vetmet që lotonin ne atë funeral. Te lotët që rridhin rrëke mbi mollzat e tyre, mua m’u duk sikur pashë të transkriptuar në anglisht atë shprehjen që i thashë në shqip burrit të zonjës së ndjerë Patti...
Dola nga shtëpia e funeralit. Binte një shi i imtë dhe nata qe bërë si një shpellë ku çuditërisht kisha hyrë me dashurinë prej fëmije...
©Sami Milloshi



