Krijimtari

Një poemë e paqartë për qejfin - Nga Artan Gjyzel Hasani

qejfi është punë vullnetare

kur nuk paguan për të…

gjumë e dashuri, o njeri,

e në qofsh me fat, edhe seks

një ngrënie të shijshme më pas

gjysëmerrësirë qirinjsh të ndezur

një gotë verë

dhe pastaj

dremit mbi gjinjtë e saj

i lumtur që nuk i zgjidhe dot as sot

fjalëkryqet e lidhura nga mendja…

dhe në zgjim mos e mbyt veten

për çfarë nuk bëre dot në jetë

shijoje i qetë qejfin tënd të vogël

turp, por rehat

mallkimi ynë jetëgjatë

që nuk na vret

por na ngjall…

dënuar me dëshira të mëdha

dhe qejfe të vogla

lëri larvat e lakmisë të të braktisin

të ikin e të shpëtojnë prej teje

të bëhen flutura të lira

jo nga ato të bukurat marramendëse

por nga ato që nuk i kap dot askush

dhe nuk gjënden në koleksione

edhe sikur të paguash për to

me tërë lulet e botës

dhe duart që i këputën

herë me vonesë

herë parakohe…

(nga “FATA MORGANA”, 2023)

©artangjyzelhasani