Krijimtari

Dy këngë malli - Nga Vangjush Ziko

*   *   *

Mes absurdit të jetës së përditshme

zgjohem me një mendim

të çuditshëm.

Me një hamendje.

Me një dilemë.

Dallgët e shpiritit ato m'i ngrenë.

E braktisa atdheun

a e mora me vete.

I shtriva kufijtë e atdheut mbi detet,

pa prekur kufijtë e shenjta të shteteve.

Kufijtë e shpirtit tim u zgjeruan.

Atdheu zgjohet

dhe fle me mua.

Mes absurdit

dhe jetës së përditshme

fle dhe më zgjon

kjo ëndërr e çuditshme.

*   *   *

Erdha të puth një prag,

t'i marr erë një trëndafili,

të ec nëpër një sokak

shtruar me petale bliri,

të dëgjoj një këngë

nga një kitarë telakëputur,

takova fëmijërinë

nën sqetull të vetmisë strukur,

pranë saj kish çelur

një lulekuqe alle,

me kupën e saj piva

hashashin e mallit,

rashë në gjumë të trazuar

në djepin e krimbur,

u zgjova i thinjur.

me shpërgënjtë

e mërgimit lidhur.

© Vangjush Ziko