Mos i shemb muret - Nga Artan Gjyzel Hasani
ëndërroj një botë të ndarë
nga mure të kapërcyeshëm
sa herë që njeriu ndihet një tjetër
që nuk përket më aty, por gjetkë
ku ikja është kthim drejt vetes
përtej atyre që i mban bashkë
urrejtja për njëri-tjetrin
që nuk e kuptojnë se vetëm dashuria
mund ta shpëtojë njerëzimin
dhe ata që dinë të duan nga larg…
mos i shëmb muret,
ka njerëz që iu nevojiten
ndihen të mbrojtur brenda tyre
ka vetëm një mur që duhet prishur
Koloseu planetar ku i kanë vënë popujt të kacafyten çdo ditë
me etiketa mbi kurriz, tabela, shenja njohëse, si deleve numrin me bojë
i bardhi me të ziun, kinezi me indianin, pastori me pederin, LGBTQ me YZDHKF, komunisti me demokratin, republikani me anarkistin, monarkisti me socialistin,
ateisti me besimtarin,
burrat shumëpërdorimësh me aseksualët,
gratë me kar kunder murgeshave
dhe burrat me pidh kundër vetvetes,
binarë, non-binarët,
prinder gogla, numeratorë inkubatori kundër atyre që iu kanë bërë kokën
seks i shkërdhyer nga gjinia,
Koloseu i madh që dua ta shkatërroj e ta shndërroj
në mijëra Partenonë të vegjël…
ndarë me mure të gjithë
mos i shëmb muret, o njeri i shkretë,
as mos iu bjer me kokë
secili ta vdesë jetën siç di
me të ngjajshmit e tij,
me busullën e tij dhe pa tutorë
në paqe me mutin dhe mjaltin e vet…
preferoj qelinë
por jo burgun…
muret janë kufiri i fundit
vendi ku E Mira dhe E Keqja takohen
shkëmbejnë vështrimet
e ndonjëherë edhe vendet
e ne duke mbetur përsëri të njëjtët
pa e kuptuar kurrë në jemi brenda a jashtë…
mos i shemb muret që të rrethojnë
por kur nuk ndjehesh mirë brenda tyre
kapërceji
kapërceji
kapërceji
vetem kur të prekësh përdheun e anës tjetër
do të kuptosh që muret në të vërtetë nuk ndajnë
por bashkojnë…
(nga “IDIOTICUS”, 2022)
© artangjyzelhasani, nëntor 2021



