Vdekje jetëgjata - Nga Artan Gjyzel Hasani
na kanë stërvitur për mbijetesë të egër
ndaj nuk dimë si të jetojmë të qetë
zgjedha e jetës që na caktuan
nuk na la zgjedhje tjetër
mbijeto ose vdis, njeri!
të kanë mbetur pak orë
biem në gjumë me ëndrra fëmijësh
dhe zgjohemi gladiatorë…
po pse u dashka të mbijetojmë
e në s’mundemi
të vdesim në të gjallë, përse?
jeta nuk është një lavire siç thuhet
e cila duhet përdhunuar çdo ditë
për të dëshmuar ekzistencën tonë
as ushtari armik që duhet robëruar
dhe në pamundësi për ta dashur
duhet vrarë…
jeta është një burrë i vetmuar
që ka nevojë të përditshme për të
është një grua e thjeshtë
që nuk kërkon nga ne asgjë
asgjë përveçse ta jetojmë
butë siç përkëdhelim një statujë
nga ato që ngre dashuria
në ditët e saj më të mira
ëmbël si një përqafim që na e dhanë
në ditët tona të këqia…
jeta nuk është luftë, as garë
nuk është bast, as fat
është djep i vogël druri
ku përkunden ata
që nesër do të gabojnë
dhe jo varr monumental i të përkryerve
kurrë nuk do të kemi kohë
për të ngopur egon dhe etjen
urrejtjen dhe zilinë
po e deshëm jetën
do të na dojë më shumë
edhe po s’e deshëm
do të na dojë prapë
nëse veten do ta quajmë bij të saj
jeta do të na dojë si një nënë
do të na mësojë dashurinë
dhe gladiatorët do të gdhihen fëmijë….
(nga “FATA MORGANA”, 2023)
©artangjyzelhasani



