Përtej mendjes - Nga Artan Gjyzel Hasani
takova një shokun tim të vjetër
që i ka lojtur mendja
qëkur i vdiqën prindërit
dhe i duket sikur i takon çdo ditë
por ai beson se i takon, bisedon me ta
shëtit
dhe kjo e bën të gëzuar e të qeshur
më të lumtur se mua të dëshpëruarin
e rrugëve të botës
që as lule në varret nuk u vë dot
atyre që më lindën e më rritën…
zgjat krahët në rrugë dhe njerëzit kujtojnë
se po përqafon një pemë
por ai thotë
po takoj babain
ecën rrugës e njerëzit thonë po flet me vete
por ai qesh me zë të lartë në krah të nënës së tij
te varrimi i së cilës dikur mbajta edhe një fjalim…
ika, ika tani, më thotë shoku im
i kam ftuar për darkë sonte prindërit
harrova, pardje takova edhe babain tënd
dhe u kënaqëm në muhabet
e kam pasur mësues
dhe mbahet goxha mirë...
e shoh thellë në sy
e kam zili
është i lumtur vërtet
dhe më vjen keq
që nuk kam lojtur akoma mendsh
dhe humbas kohën kot
duke lutur çdo mbrëmje Zotin
sikur t’i shihja një herë të vetme
një herë të vetme në ëndërr
të mirët e mi…
(nga "FATA MORGANA", 2023)
© artangjyzelhasani



