Krijimtari

Akullore tek "Hilliards" - Tregim nga Sami Milloshi

Ma në fund, mbas njizetepesë vjetësh në Amerikë, e gjeta nji punë qi e due fort: shkrimtar në kompaninë e çokollatave dhe të akulloreve me emnin “Hilliards”. Se des e di, po se bahem shkrimtar në kompani çokollatash, kjo kurrë nuk më ka shkue ndërmend. Aferim zotni Parkerit, bosit të kompanisë, qi e takova në ceremoninë e fejesës së komshiut tim Bill.

Ishim tue pi birrë me Billin aty në kopshtin mas shpisë së Julietës, t’fejuemes së Billit, kur ia behu zotni Parker. Ai vuni re se në bluzën e zezë verore të Billit ishte shkrue me germa të bardha nji togfjalësh i çuditshëm: “Julieta you will be my last wife”, çka don me thanë “Julieta ti do jesh grueja ime e fundit”?

Zotit Parker kjo i pëlqeu fort.

-Po në bluzën e Julietës a ka të shkruem noj fjalë? - pyeti zoti Parker.

- Ka, - u gjegj Billi, dhe sakaq e grishi Julietën me ardhë me takue zotni Parkerin.

Julieta erdhi sa çel e mbyll syte prej fundit të kopshtit ku ishte tue pi venë e tue u hargalisë me shoqet e veta në ditën e fejesës së saj.

Edhe ajo, njashtu si Billi kishte vesh nji bluzë të zezë.

Cicat e mdhaja gati sa nuk po e shkepshin bluzën. Ama, mbi to, si mbi kodrat e buta të Iowa-s, gërmat e bardha harbojshin prej shkëlqimit: “Bill you will be my last husband”, çka don me thanë: “Bill ti ke me qenë burri im i fundit”.

Zotni Parker e vuni re se dikush ishte kujdesë fort qi fjalët në gjokset e Julietës dhe të Billit të ishin të përputhuna si e don zakoni: si mishi me thojn.

- Kush e ka ideue këtë përputhje fjalësh? - pyeti prap zotni Parkeri.

- Ky zotnia këtu, - tha Billi tue më drejtue me gisht e tue qeshë vesh më vesh.

- Kjo asht e mrekullueshme, - tha zotni Parkeri dhe shtoi nji pyetje tjetër: “Çfarë pune ban ti”?

- Hamall, - i thashë - te kompania “Home Depot”.

- Ky ka ba shkollë për shkrimtar, - deshti me e sqarue Billi tue i tregue me hollësi çka kisha punue unë në Shqipni.

- Po pse nuk punon ti nëpër gazeta ktu n'Amerikë? - m'pyeti pa kurrfarë djallzie zotni Parker.

I thashë se boll kisha rre kur isha gazetar n'Shqipni, kur s'mujsha me thanë t'vërtetën. E tash, nuk po dojsha me rre prap, si rrejnë e si e mshefin t'vërtetën kto gazetarët amerikanë. Jo për gja, i thashë, po tash i kam do vjet mbi shpatulla, jam edhe thinjë e nuk kam kohë me u marrue për s'dyti. Ma mirë jam tue dalë n'pension si hamall...

Zotni Parkeri vuni buzën në gaz. Mandej tha nji fjali qi mue më ra si tokmak mbi krye.

- Prej nesër e mrapa ke me punue shkrimtar n’kompaninë time “Hilliards”. Ke me ba reklamat për çokollatat dhe për akulloret qi shesim na n'dyqanin qi tash njiqindenjizet vjet e pat themelue stërgjyshi im Corelius.

Unë isha i shashtisun krejt. Billi m’përqafoi grykë më grykë, sa u duk se u punësue ai vetë e jo unë.

Të nesërmen u paraqita në zyrën e zotni Parkerit. Ma shtiu nji gotë uiski me akull dhe më tha se i duhej nji reklamë për akulloren e “Hilliards”.

- Shko në atë dhomën atje, merre edhe shishen e uiskit me vete. Akull ke ne frigorifer. Kur ta kesh gati reklamën, hajde e m’thuej. Nuk po due me t’ngutë, n’daç ti maroje nesër, a mas nji jave...

U mylla në atë zyrën njat zyrës së zotni Parkerit me shishen e uiskit para. Shkruj nji fjali e prish nji tjetër.

Kaloi nja nji orë e unë pothuesje e kisha tha shishen e uiskit. I thashë vetes: mor zavall, a thue je tue mendue se zotni Parkeri t’ka punësue për pijanec? Dhe e mlodha mendjen...

Mu kujtue Roza me Firdusin.

Roza thoshte se Firdusi ishte gabimi i saj. E po kshtu Firdusi, sidomos kur ishte i bamë tapë, prej konjakut “Skanderbeg”, prej inatit edhe ai ia kthente: “Roza, për besë, ti je gabimi im”.

- Por jeta asht shumë e shkurtë, - i thoshte Roza me lot në sy.

- Po Rozë, - i thoshte Firdusi - asht shume e shkurtë. Nuk kem me rrue sa kem rrojtë...

- A t'shkojmë pra, ta hamë nji akullore ke dugaja e Toninit, njaty njat me Kafen e Madhe? - thoshte Roza.

Dhe njashtu dorë për dore, Roza me Firdusin ia msyshin te porta e dyqanit të Toninit me hangër akullore. Dimër verë, i njajti avaz, sa herë munoheshin me e ftillue kët shkakun e gabimit qi kurrë nuk mujtën me e shkoklue fill e për pe.

Bash njat her kur mue m’u sos kujtimi për Rozën dhe Firdusin qi hajshin akullore si dy vocrrakë te dugaja e Toninit, mue më shkrepi n’krye çka me shkrue si reklamë për akulloren e “Hilliards”.

Dhe shkrova fjalë për fjalë: “Jeta asht e shkurtë, ta hamë nji akullore sot!”

U çova në kambë dhe me reklamë në dorë trokita n’zyrën e zotni Parkerit. Ia dhashë reklamën tue mu dridhë duert.

E pa dhe heshti nji grimë herë. Mandej me ftyrë të qeshun si me pas dalë prej nji puthjeje dashnie me gruen e vet, më tha:

- Ti e kreve punën tande për sot. Për dy javë e ke pushim. Hajde prap mas dy javësh me marrë nji detyrë tjetër për çokollatat...

© Sami Milloshi