Krijimtari

Çuni i Marjanit - Tregimi i së dielës nga Agim Xhafka

Po e them me mburrje, nga fillorja e deri sa mbarova universitetin kam marrë veç dhjeta. I dalluar, me fletë lavdërimi e në tabelë nderi përherë.

Por babai, ndonëse kënaqej e më jepte shumë dashuri, thoshte shpesh, kohë e pa kohë:

- Dhe djali i Marjanit si ty është. Por më i shtruar e jo kaq harakat.

- Marjana që punon me ty është beqare, o burrë! Nga na e bëre me fëmijë?! - çuditej nëna.

- Jo, jo ajo, - i thosh babai. - Marjani, Marjani, një shoku im.

E kështu ndër vite. Çuni i Marjanit mbahej pastër, çuni i Marjanit nuk griste libra, çuni i Marjanit respektonte të moshuarit, merrte motrën nga çerdhja, fshinte pluhurat, ndizte zjarrin... Dalëngadalë po i ngjisja atij. Se doja çdo ditë ta gëzoja babain.

Një herë na erdhi për vizitë një shok i tim eti me çunin e tij, fiks sa unë:

- Çuni i Marjanit je? - e pyeta.

- Eshte çuni im. E quajnë Andrea dhe mua Sofo, - tha burri.

Më doli huq. Kisha dëshirë ta njihja frymëzimin tim. Pas pak Sofo pyeti babain:

- Ore kush është ky Marjani?

- Një i njohuri im, -tha babai.

- Njëri që ka një djalë sa unë, që mëson shumë, që është i pastër, i rregullt... - ia nisa ligjërimit.

- Mos e zgjat. E njoh e do të ta tregoj dikur… - qeshi Sofo.

Nga ajo ditë erdhën në shtëpi shumë shokë të babait. Por Marjani nuk shkeli ndonjë herë. Kurrë.

Kaluan vite e unë, kur vajzat e mia vinin nga shkolla plot dhjeta, pasi i përqafoja, u thoja:

- Si ju mëson edhe vajza e shokut tim, Marjanit. Por ajo edhe fshin shtëpinë, edhe ble qumështin, edhe ndihmon në gatim, edhe...

Sot më vjen për të qeshur. Por sa mirë që e mora seriozisht mësimin: “Bëhu si djali i Marjanit!”

Të falenderoj baba! Ti tani na sheh nga lart, por Marjanin e le këtu poshtë, mes nesh. Dhe ne po e mbajmë gjallë. Kushedi sa breza do jetojë Marjan legjenda! Kushedi…

© Agim Xhafka