Një SMS në ishull - Tregimi i së dielës nga Agim Xhafka
As dy ditë pushime në Rodos kur në celular më erdhi një sms nga motra:
-Vdiq Nella, vëlla. Varroset pas dy ditësh sa ta sjellin nga Roma. Atje jetonte vitet e fundit,atje mbylli sytë.
M’u rëndua telefoni, m’u bë plumb. Nella qe shoku i babait si fillim. Më pas u bë vëllai i tij dhe xhaxhai im. Në tru e vendosa që do shkoja patjetër në Korçë. Do merrja pjesë te ceremonia mortore sikur qielli me tokën të puqej e të bëhej një. E di që gruaja, nipi dhe mbesa do shastisen kur të më dëgjojnë, por ja që nuk shmangem dot. Dhe kur mendoj që kishim muaj që organizonim këto pushime, e di që do i trondisja. Ndaj sa ua thashë foli gruaja e para:
-Cili Nellë, sikur nuk e kam dëgjuar? Babai yt kishte dy vëllezër, tani na doli me tre?
Nuk u përgjigja se më erdhi vrik pyetja e nipit:
-Me kë jetonte në Itali?
-Nuk e di, - i thashë të vërtetën.
Kisha vite që nuk dëgjoja e as pyesja për të. Pas vdekjes së tim ati e rrallova kureshtjen rreth miqve e shokëve të tij. Ndoshta nuk doja të mësoja më ikjen e tyre. Më trishtonte çdo largim. Gjithsesi atë çast e bëra veten fajtor. Nella dinte çdo gjë për ne. Sidomos shqetësimet. Ia zbraznim pa hezitim, me sytë te ai, te mendja e tij për zgjidhje. Qe si inteligjenca artificiale sot që hazër xhevap të jep mori përgjigjesh. Ndërsa për të nuk pyeta a rron, si rron, ku gjendet, fundja të mësoja emrat e dy çunave të tij. E di që e kaluara nuk blihet, por mësim bëhet.
Nipi vuri buzën në gaz si për të nënkuptuar që po ikja në Korçë te një ceremoni që nuk ia vlente.
-Po sa vjeç ndërroi jetë? - sërish gruaja.
-92 a 93, - i fola e po rrutulloja “Google”-n e trurit tim sa do të qe sot babai se dy vjet ndanin nga njëri-tjetri.
-As moshën nuk ia di saktë këtij xhaxhait tënd, -qesëndisi mbesa.
-Sa fëmijë ka? Me se merren? Ku jetojnë? -bombardoi gruaja.
-Nuk e di. Nuk ia njoh fëmijët.
-Po xhaxhai është i afërti tënd, duhet t’i dish dhe huqet jo më…- vazhdoi gruaja.
Pashë që mosbesimi po trashej. Gati po më nxirrnin sikur doja të vidhesha nga ishulli grek e do vija në Korçë për hava më të mirë. Ndaj ua shpjegova deri në shterrim se cili qe Nella për mua e familjen time.
U thashë që kur babai u ngrit në detyrë në ndërmarrje e u bë shef finance aty atë mot nisi punë edhe Nella. Sa kishte mbaruar universitetin për ekonomist. Babai qe shefi i tij, por ama pa shkollë të lartë. E ndërsa u dridhëm nga mendimi se mos Nella i zinte vendin na erdhi çudia prej këtij njeriu të mirë. Nxiti babain të fillonte sa më shpejt studimet në universitet pa shkëputje nga puna. E për plot katër vite, çdo darkë, Nella linte familjen e tij e mbyllej te dhoma e babait duke zgjidhur problema, ushtrime apo analiza ekonomike. Babai ia doli, mori diplomën, por mentori i tij qe Nella. Më pas kujtoj i erdhi një tv nga Gjermania. Në fakt e kishte porositur një kushëriri i tij prej Amerike. Por nuk e mbajti vetë. Na i solli ne. Kam një në shtëpi, tha dhe na mori veç lekët e doganës. Të të falnin një tv atëhere ishte dhuratë më shumë se sa një shtëpi.
Kur unë mbarova gjimnazin e ëndërroja për të studjuar letërsi komiteti më çoi për inxhinieri, se në matematikë e kisha notën dhjetë, qe arsyetimi i tyre. Dhe atje ndërhyri Nella. Një fis i tij që punonte te zyra mësimore në Universitet ma ndërroi degën. Shkova mësova atje ku ëndërroja. Kështu na u gjend përherë. Për gjithçka. Për halle pa fund e për ndihmë të çmuar. Mbaj mend kur një vit babai e nëna ikën me pushime te kampi i punëtorëve në Vlorë e ne tre fëmijët ishim të vegjël, na erdhi Nella bashkë me të shoqen te shtëpia jonë për dy javë. Na gatuanin, lanin dhe bënim bashkë me ta detyrat. Apo një vit të ri më dha borxh për ca ditë kostumin e pallton e tij nga që isha i ftuar në një konkurs recitimi në Shkodër e s’kisha veshje veç tutave të trikotazhit. Fat që ato mote kishim të njëjtën masë.
Pas këtij shpjegimi gruaja nuk e kishte zbutur mllefin.
-Qenka gjithçka ky Nella. Na qenka Zoti pra.
-Po, - i thashë pak ashpër, - Zoti është. Ndaj dua të shkoj te ceremonia për të. Siç shkon ti te kisha e thua që je falenderuese ndaj Zotit ashtu do them dhe unë për Nellën. Se zoti nuk është veç ai që lutemi edhe pse nuk e kemi parë. Ai është shpërndarë nëpër glob në miliona zotër të vegjël. E një prej tyre ishte Nella. Që ma lehtësoi aq shumë jetën dhe më ndihmoi të kapërxej gardhe pengesash pa përfituar asgjë.
Kaq doja, sa u vendos pak qetësi. Mora në celular agjencinë për një biletë avioni.
-Kthim pas tre ditësh, - bërtita që të më dëgjonin këta të shtëpisë.
- Bli, bli dy bileta, do të vij edhe unë, -më gëzoi gruaja.
Nipi e mbesa tundën kokat. Sikur thanë, jemi të rritur tani, rrimë dhe vetë.
E ndërsa të nesërmen me avion fluturoja mbi re, herë pas here buzëqeshja.
-Ç’ke kështu? - më pyeti gruaja.
-Jam i gëzuar, - i thashë.
Më pa me çudi. Qyqja më iku burri nga mendja, gati e nxori nga goja.
-Jam i gëzuar, -i thashë sërish. - Se babai tani do të ketë pranë shokun e tij më të mirë. Do bëjë sherr me mamanë nga që çdo natë do i vidhet asaj se do takohet me Nellën, se do llafosen e do të çmallen aty poshtë hënës e akacjes, të mirët e të shtrenjtët e mi…
© Agim Xhafka



