Krijimtari

Djali me biçikletë - Tregimi i së dielës nga Agim Xhafka

Kur hapa derën para m’u shfaq goca. Herë pas here ajo sa del nga puna vjen të na shohë ne prindërit e më pas shkon te shtëpia e vet.

-Erdha të uroj për frigoriferin e ri që bletë, - më tha.

Hyri në kuzhinë e aq u gëzua sa fërkonte me pëllëmbë “Samsungun” dykanatësh. Uroi e u ul në kolltuk te dhoma e ndenjes. Por u çua pupthi.

-Keni blerë dhe televizor, mo? Ua sa i bukur, ua sa i madh!

-Është smart, -u mburr gruaja dhe e lidhi menjëherë me youtube.

U shfaq në ekran Celinë Dion. Për të vdes ajo.

-I bëtë lekët erë, - tha goca e i fryu pëllëmbës sikur do demonstronte që ikën e vanë eurot e shumta.

-Frigoriferin e blemë se ai i vjetri na e la shëndenë. Po televizorin na e falën, e kemi dhuratë, - sqaroi gruaja.

Goca shqeu sytë. Me ofertë 50% dihej frigoriferi, po dhe televizor dhuratë nuk kishte dëgjuar. Nuk foli, priste shpjegim se iu duk habi e madhe e fat i madh.

-Po, e kemi dhuratë. Bashkë me të na sollën dhe një letër. Lexoje, - i thashë e i vura një zarf mbi dorën e saj.

-I nderuar zotëri, të falenderoj shumë për gjestin tënd bujar duke më ndihmuar për kredinë që as krejt farefisi im nuk ma bëri paçka se iu luta plot herë. Gati u rashë në gjunjë, por nuk më çeli rrugën askush. Si shpërblim prano këtë tv dhuratë prej meje. Duhej të të falja botën, siç më fale zemrën, por kaq i kam mundësitë. Me shumë, shumë respekt, Filipi.

Më pa në sy. Jepi, më sqaro, sikur po më thosh. Ndaj u ula dhe unë në kolltuk. Hodha vështrimin mbi Celion Dion që po këndonte si bilbil pylli dhe nisa të tregoj.

-Ngjarja ka ndodhur para 5 vitesh. Isha bashkë me mamin tënd në bankë për të marrë një kredi, kur blemë atëhere Jeep-in e bardhë, të kujtohet? Te tavolina ngjitur, ndërsa goca e kredisë sonë po bënte gati dokumentat, zhvillohej një dialog mes Filipit, këtij çunit që më dhuroi tv dhe punonjëses së bankës.

-Sa euro të duhen, - e pyeste ajo.

-30 mijë, do të operoj nënën, duhet ndërhyrje urgjent. Ndryshe…- e nuk shprehej më, ngashërehej në lot.

-Ok, puna që bën si menaxher shitjesh te kompania e elektroshtëpiakeve të jep pikë, por duhet dhe kolateral. Çfarë ke si pronë? - vazhdoi ajo.

-Kam veç një biçikletë, ja ajo atje përjashta, -tha çuni pa të keq e me dorë nga xhami tregoi mjetin e tij lidhur pas një peme.

Goca i tha që duhet një pasuri e patundshme. -Jo,nuk kam, - u ngashërye i ziu. -Babai ka ndërruar jetë në një aksident kur unë isha student. Ndaj e mora mamanë nga qyteza dhe erdhëm në Tiranë. Banojmë me qira.

Ndërkohë unë e mami firmosëm dokumentat e kredisë sonë. Ajo po nxitonte se kishte lënë orar për flokët. Ngela vetëm, po prisja fotokopjet e pasqyrave të kësteve. Nga tavolina ngjitur dëgjova:

-Nuk ta aprovoj dot kredinë pa një kolateral. Kaq tha vajza e bankës e gati po ia mbyllte mundësitë Filipit.

-Prit një minutë, -ndërhyra unë. -A e mbulon shtëpia ime që kam lënë si garanci edhe kredinë e Jeep-it, edhe kredinë e këtij çunit? Të operacionit të nënës së tij dmth?

-Po, mbulon dhe tre kredi të tjera se ju keni shtëpi të madhe dhe për më tepër në një zonë të preferuar.

-Atëhere jepja kredinë. Dal unë garant.

-Njiheni me njëri-tjetrin?

-Jo, por ai ka hall. Do ndihmuar, -i thashë.

Filipi më shihte sikur nuk isha njeri. Se në sy më tepër i lexohej habia. Pas një çasti i ndriti fytyra nga lumturia dhe më përqafoi fort. Që atë ditë nuk e pashë më. Doja të pyesja në bankë në i shlyente ai këstet në afat, por tërhiqesha. Po të dalë ndonjë problem rrugës kujtohet banka vetë, të bën email, i thosha vetes. E ja, ai çun nuk më paska harruar. Ma shpërbleu ndihmën që i dhashë. Kaq dhe e mbylla shpjegimin.

Vajza rrinte pa folur. Shihte nga e ëma, nga gruaja ime që qe si e trullosur.

-Po në se ai nuk do e shlyente dot kredinë a e mendove që do të të merrte banka shtëpinë?

-Jo,nuk e mendova asnjë ditë. Se nuk mund të ndodhte, -i thashë shpejt e shpejt.

-Je me fat se po dëgjojmë raste mashtrimesh pa fund.

-Nuk jam me fat. Me fat është nëna e Filipit që ka atë çun. Një fëmijë që merr kredi për shëndetin e prindërve do ndihmuar. E unë nuk i fala gjë. I ngrita veç traun që makina e tij të ecte e qetë në autostradë. Pagesat i bëri ai, të gjitha.

U vendos heshtja. Nuk po flisnim.

-Kur të dilni shëtitje mos kaloni më afër ndonjë banke, -i tha goca gruas.

Atë çast erdhi më përqafoi dhe shtoi:

-O ba, bëj këto ditë ndonjë analizë adn-je. Bëje! E vemë me bast që do dalësh fis me Nënë Terezën. Je i papamë…

© Agim Xhafka