Krijimtari

Dritë errësire-poezi nga Artan Gjyzel Hasani

Dritë errësire

Këputet dielli dhe bie në gjunjë
siç bien kujtimet te kalendarët
tretet muzgu dhe dita dremit 
derdhet ngadalë mbrëmja e përhimtë
rrugicave bëhet një hija e të dyve
shkëlqen fashë e hënës mbi dyer e pragje
pas xixëllonjave akoma rendin fëmijët
është ora kur errësira më vjen si dritë
me ty brenda syve…

njerëzit gjithnjë do hiqen siç nuk janë...
e vetmja gjë që dinë ta bëjnë mirë
të shitblihen si sendet, por të vegjël nuk e dinë
sa pjellor tregu kur e vërteta është gënjeshtër
i fshijnë pluhurin vetes dhe e nxjerrin në vitrinë
për blerësin më të parë vazhdimisht të verbër

burrat rrëzohen kur malli gërryen malin
mendjen dehin me avuj zemre aq lehtë…
të rinj ngatërrojnë pellgje me dete
fluturojnë pa krahë, flenë kur duhet të nisen
gra që nuk bëhen dot muzë, provojnë të bëhen poete
në vazo varresh si qiparisa e mbjellin veten pleqtë…

kështu ka qenë gjithnjë e nuk filloi sot
njerëzit mburren për atë që kanë
por kanë frikë nga ajo që janë

dhe frika është si hija që mbi shandanë dridhet
kur shërbyesja me qiriun që po shuhet ndez një tjetër
në shkallaren e kështjellës ku gjithnjë është errësirë
dhe e gjitha kjo ndodh netëve në gjoksin tonë
sa herë në garderobë të shpirtit hyjmë për të provuar veten…

errësira ka terr, por edhe dritën e saj
kur mendimet e errëta si urët e zjarrit mbi prush
në shpinë të njëri-tjetrit dorëzuar rrëzohen
dhe në gazmend shkëndijës i gëzohem
feksjes që ma mbars kanatën e syrit
me xixëllonjat që fëmijët ndjekin pas …

(nga vëllimi poetik "PRANDAJ..." )
©artangjyzelhasani

 

Tagged under Artan Gjyzel Hasani