Gjumi i mbasdites - Tregimi i së dielës nga Agim Xhafka
Asnjëherë më parë nuk kam fjetur në drekë. Kam plot shokë që palosen për dy-tre orë. Madje ndonjëri, që s’po ia përmend emrin, futet brenda në krevat, mbulohet me jorgan e zgjohet kur t’ia hapë sytë truri i tij. Por u bënë ca muaj që dhe unë po dremit në drekë.
U plake, o byrazer, i them vetes. Mbyll sytë ashtu ulur në kolltuk me këmbët mbi pupe. Gruaja thotë që gërhas lehtë, por nuk e besoj, ia marr si shaka. Ama fle ca kohë. Aq, nja 15-20 minuta. Jo më shumë se pastaj natën zor të më marrë gjumi. Do bësh agrepni, thosh nëna ime. Kuptimi, do tjerrësh muhabet me errësirën.
Dje mes minutave të kësaj dremitje më ra zilja e celularit. I hodha një gjysëm sy sa për të ditur kush qe se meazallah do e hapja. Por më doli “Jeta ime”. Kështu ia kam vënë emrin në telefon mbesës. E hapa vrik.
-O gjysh, a të të bëj ca pyetje?
Nga që unë përherë them po, ia nisi.
-Keni pasur ju të drejta themelore para viteve ‘90? Në kohën e diktaturës d.m.th.?
-Po, mi gocë kemi pasur. Kemi pasur plot, - i thashë.
Dhe po mendoja me këtë rast të bëja një bisedë me kuptim për ato mote. Që mbesa të ndërtonte peizazhin social ku jetuam. Ajo është e vogël dhe do shpjegime konkrete, me shembuj, si për shembull kur i sqarova një ditë inflacionin. I tregova një garuzhde me vrima dhe i thashë, këtë ta mbushim me supë. Supa do rrjedhë, tha ajo. Sigurisht dhe ajo që rrjedh është inflacioni, ajo që ngelet është rroga reale e shqiptarëve, ia ngulita në tru.
-Ia nisim me të drejtën e lëvizjes. E keni pasur ju këtë të drejtë?
-Po, e kemi pasur. Nuk na ndalonte kush të lëviznim për shembull nga kuzhina në banjë. Ose anasjelltas. Lëviznim pa i marrë kujt leje. Fare pa vizë.
-O gjysh,mos u tall tani. A shkonit ju jashtë atdheut e kisha fjalën?
-Si nuk shkonim, moj. Kudo bridhnim nëpër glob, - i thashë. -Kishte televizioni një emision “Vende dhe Popuj”. Na tregonte gjithë shtetet e botës. Më shumë “lëviznim” në Afrikë. Ende e di në pëllëmbë të dorës për shembull Angolën, Nigerinë, Kongon.
-O gjysh, po mos u tall të thashë. Pasaporta shqiptare ato vite çfarë ngjyre kishte?
-Kishte ngjyrë patjetër. Me ngjyrë ishte. Po ja të pyes xha Kasëmin e të them.
-Pse ti nuk e mban mend?
-Nuk e mbaj mend se gjithë populli nuk kishte pasaporta. Xha Kasëmi kishte se punonte shofer në ambasadë në Romë.
-Po të drejta banimi a kishit ju?
Ajo lexonte në libër një për një të drejtat e njeriut dhe më pyeste mua.
-Kishim si jo. Se ne nuk flinim jashtë ose nëpër pemë si majmunët.
-Në sa metër katror jetoje o gjysh deri sa bleve këtë shtëpi ku je tani?
-Në pak metër, bijë. Konkretisht banesa ishte aq sa kemi sot dy garazhet te kati nëntokësor në pallat.
-O gjysh,mos u tall! Po fundjavave si argëtoheshit, nga shkonit?
-Në fshatra, zemër. Në fshatra. Çdo të dielë. Nuk mungonim kurrë. Bridhnim çdo javë, fup këtu e fup atje.
-Te cilët restorante, a kujton ndonjë?
-Më shumë frekuentonim restorantin “Misri”, pub “Patatja” dhe bar “Kanali”.
Por nuk e lashë të pyeste ku qenë konkretisht këto lokale. I shpjegova që e shtuna atëhere s’qe pushim. Dhe shkollat bënin mësim atë ditë. E diela quhej pushim, por në fakt na çonin në aksion për korrje dhe çveshje misri, për hapje kanalesh ose për shkulje patatesh.
Heshti ca sekonda. Po e ndërtonte në përfytyrimin e saj atë kohë ndaj më bëri pyetjen e fundit:
-Po mirë, ju nuk kishit asnjë të drejtë? Asnjë?
Heshta ca çaste. Po mendoja që t’i jepja një përgjigje me brumë. Dhe e gjeta.
-Kishim, kishim një të drejtë të madhe që e shfrytëzuam shumë si popull, për asnjë çast nuk e harruam.
-E cila qe?
-Qe e drejta për të heshtur. E zbatuam me përpikmëri, si sahat zviceran.
Nuk vazhdova ligjëratën, ajo e kishte mbyllur celularin. Ndaj atë çast mbylla sytë dhe kujtova gjysmën e jetës. Atë gjysëm që mora frymë me gojën e mbyllur…
© Agim Xhafka



