Krijimtari

Baladë epike - Nga Vangjush Ziko

Përpara altarit të heshtur

të tempullit

themele gërmadhash

si hoje të shkelura bletësh,

dylli i vjetër i tij

rishfaq relievin e fshatit:

Ndizet llambadhja e shenjtë,

drita rrjedh me përrenjtë e shpatit.

malli im radhit

qoshet skalitur me gletë

njëra mbi tjetrën,

qielli vesh dritaret me qelqe,

reja shtron mbi çati

plloçat gri,

dielli rizgjon buzëqeshjen...

Ku janë njerëzit

të gatuajnë bukën në magje,

të ujitin borzilokun,

të këndojnë psallmet.

Malet mbështjellë me vetmi

dhe me heshtje

me nofullat e shkëmbenjve

bluajnë enigmën e jetës

dhe vdekjes.

© Vangjush Ziko