Krijimtari

Përbindsh i katundit - Tregim nga Sami Milloshi

- Ai asht përbindsh, - tha Gjoka - për t'Parin e Katundit tonë.

- Nuk ka qenë kështu, - thashë unë.

- Ka qenë përbindsh! - kamnguli Gjoka.

- Gjokë, unë t'maj për burrë t’mençëm. Mos ngul kamë si mushka n'akull, - thashë unë.

- Mirë pra, - e bamë na përbindsh, - tha Gjoka.

- Për cilin e ke fjalën or Gjokë? - pyeta unë - sikur ajo çka thoshte ai t’i përkiste nji planeti tjetër, por jo atij e mue.

- Ti e unë e bamë përbindsh, - tha Gjoka.

Mue sikur m’ra nji copë akulli mbi krye e ma bani nji varrë gjaku qi m'rrodhi n'ballë e rrshqiti përgjatë qafës e m’i mushi kpucët plot e përplot me gjak...

- Ti e unë?!! - thashë sërish me nji habi t’madhe.

- Po, po, ti e unë, - e përsëriti tue e drejtue gishtin e tij tregues kah unë e kah vetja.

- Si? Në ç'mënyrë e bamë unë e ti përbindshin? - thashë unë.

- Ta them unë. Na heshtëm. Na, myllëm gojën. Jo, jo, desh të rrejta. N’fillim myllëm sytë. Mandej na myllëm veshët. Në fund myllëm edhe gojën...

Jo në nji ditë. Kaloi do kohë prej mylljes së syve nje kur myllëm edhe veshët. Kur myllëm edhe sytë edhe veshët, I Pari i Katundit e pa se mujti me na vu n’gjumë. Dhe sak na vuni n’gjumë. Bash njat ditë qi na vu n’gjumë ai u ba përbindsh. Bash njat ditë e myllëm edhe gojën.

Gjoka heshti pak. Nxorri kutinë e sermtë të duhanit. E drodhi nji cigare për vete. E bani edhe nji tjetër për mue. E qiti unurin dhe eshkën e ma nezi mue të parin cigaren. Mandej nezi edhe t’vetën.

- A shkon ky tym duhani nje ke I Pari i Katundit tonë, o Gjokë? - pyta unë.

- Sa axhami ke met, mor burrë! - tha Gjoka. - Ti kujton se me lojnat e fjalëve qi ban rradakja jote, I Pari i Katundit e ven ujin n’zjarr për ty e për mue? As qi don me ia dijtë për na të dy a jemi gjallë. Shumë shumë, na ka n’defter veç si numra. Por, edhe si numra don me na fshi krejt.

- Po pse? - pyta unë.

- Se kur e preu pyllin e katundit na myllëm sytë. Kurrkush nuk u ba i gjallë. Se, helbete, pylli ishte n’mal. Se pylli ishte i tanë katundit e nuk ishte i askujt.

A t’kujtohet kur e hapi nji gurore për me ba gëlqere? E hapi për hesap t'vet, e hapi për kuletën e vet. A t’kujtohet, si u mush mali, plot me furra gëlqerje? A t’kujtohet, si u zhdukën sa çel e myll sytë, pishat dhe ahet, shkoza dhe frashni?

- Po, mor si nuk m’kujtohet, - thashë unë. - Bile m’kujtohet kur I Pari i Katundit tha se furrat e gëlqeres së malit tonë kanë me pushtue tanë Ballkanin. E ka ba edhe nji festë për gëlqeren tonë.

- A t’kujtohet ai serbi qi kishte ardhë i ftuem prej t’Parit të Katundit tonë kur tha:

“Ta pijmë me fund nji gotë për gëlqeren tuej qi ka me ia zbardhë muret tanë Ballkanit!” - tha Gjoka.

- Nuk e maj men, - thashë unë.

- Po pra, se na ishim qorrue at kohë. Por, bash n'nat festë I Pari i Katundit ka bërtitë n’kupë t'qillit: “O milet kush thotë nji fjalë t’zezë për gëlqeren tonë t’bardhë ia kam kalarue gruen.”

Mirë se ishim qorrue kur preu pyllin, po kur kërcnoi se ka me na kalarue gratë, veshët a i patëm n’vend? A thue edhe ato na i pat pre me kmesat qi preu pyllin?! - tha Gjoka.

- Veshët i kishim, po nuk na e muer menja se çmendet insani deri aty, - thashë unë.

- Po na myllëm edhe gojën bash njat ditë qi ky I Pari i Katundit e qiti at pisllëk prej gojës së tij. Kurrkush nuk bzani nji fjalë me e kundërshtue. Unë për vete thashë nëpër dhamë “Munç me iu afrue grues sime, se kam me ta gri mishin me kadhë si berr!” -tha Gjoka.

- Kem qenë bashkë at ditë, - thashë unë - veç n’e paç thanë me za t’vogël, se unë pasha t’madhin Zot nuk e kam nigju nji fjalë prej teje.

- Po pra, - tha Gjoka - njaté jam tue pranue edhe unë. Jam tue thanë se kam folë si miza n’qyp e, kurrkush nuk e nigjoi se unë ia bana benë t’Parit t’Katundit.

Si fola unë si miza n’qyp,bash njashtu foli krejt gjindja qi qe aty.  Mandej na, të tanë pa përjashtim e myllëm gojën krejt. Dhe a e din pse?

- Pse? - pyta unë.

- Sepse na tuteshim se I Pari i Katundit mburrej se ishte miku i Mretit, e i kishte shpatullat e ngrofta. Pasha t’madhin Zot, Mreti as donte e as don me ia dijtë për t’Parin e Katundit tonë. Por na, si u bamë qorra, shurdhanë e memecë me dëshirën tonë, jo vetëm I pari i Katundit, por edhe Mreti vetë, nuk pordhi hiç, a ishim dhe a jemi gjallë a jo. Katund i vogël, katund i humbun n’skaj t’Botës katundi ynë....

Tash qi ne na kanë ardhë mendt na kanë shkue dhent...

Le që kamë bariu nuk ka met n’katund. Janë tue ra edhe rrasat e çative prej kullave. Tash na jem kujtue me ia fut duert n’fyt t’Parit t’Katundit për gjithë t’zezat qi na ka ba.

Po nuk e dij a kem me mujtë me ia kthye vedit sytë e paqorruem, veshët e pashurdhuem dhe gojën e hapun, jo veç për bukë. Gojën e hapun me thanë nji fjalë për katundin tonë qi asht ba si xhenazja buzë vorrit...

© Sami Milloshi