Krijimtari

Xhesika dredhon rrugën - Tregim nga Sami Milloshi

Në anën lindore të kampusit ishte një lëndinë me bar të njomë. Se kujt i shkoi ndër mend se duheshin mbjellur ca mështekna. Kur i mbollën nuk u duk sikur qe shtuar ndonjë bukuri tjetër. Por nuk kaluan as dy tre vjet dhe mështeknat harlisën. Humbeshe në to. E bardha e trungjeve më dukej si dora e Monesë sa herë më duhej të kaloja nga fjetorja Beard e studentëve për të shkuar tek biblioteka e kolegjit.

Nuk kaloi shumë kohë dhe dikujt i shkoi ndër mend të vendoste aty një nga ato që i quajnë instalacione arti. Mu midis mështeknave vunë gjashtë a shtatë struktura metalike në formën e një tuneli me lartësi dy metra. Secilën strukturë e lyen me një ngjyrë. Të thuash, ishin gjithë ngjyrat e ylberit.

Unë, në fillim nuk e kuptova pse e quajnë art. Por kjo nuk ka pikë rëndësie. Janë të tjerë që e quajnë të tillë. Megjithatë, pyeta se çfarë i bënte ato struktura metalike me bojëra t’i quanin vepër arti. Më në fund mësova se qenkej një vepër arti për homoseksualët.

- O Zot i madh! - thashë me vehte. Kaq. E mbylla gojën. Ama, sa herë më duhet të shkoj nga Beard tek biblioteka, i shkoj përanash tunelit artistik, nuk hyj aty. Ka të tjerë që hyjnë, unë jo. Kurrë.

Një ditë, mikesha ime Xhesika që më paska parë se si unë dredhoja rrugën dhe nuk futesha në tunel më thotë nga larg duke më thirrur:

- Hej, pse e dredhon rrugën, nga çfarë ke frikë që nuk e përshkon tunelin? Ti je edhe piktor, pse nuk të pëlqejnë ato ngjyra?

- Ky mund të jetë art për disa, por jo për mua, - iu përgjigja.

-E kuptoj, - tha Xhesika - e po nuk të mbetet veçse të heshtësh, apo jo?

- Nuk po hesht, - thashë. - Nuk po hyj nën tunel. Dhe kjo është e gjitha ajo çka mund të them.

- Ty të ka mbetur ora te Van Gogu dhe Shagalli. Po mos harro se jemi në shekullin e njëzetenjë...

- E di, i thashë Xhesikës. - Tani mua më duket sikur jo vetëm artin po ma injektojnë me shiringë, por edhe instiktet. Ti mos u çudit se, ndoshta ndonjë ditë edhe ty mund të të sjellin në shtrat ndonjë majmun dhe të të thonë se ky është i dashuri yt...

Xhesika qeshi. Qeshi hidhur. Nuk më ktheu përgjigje, por bëri të shkojë nga lëndina me mështekna.

E pashë që edhe ajo e dredhoi rrugën dhe nuk hyri nën tunelin e atij instalacioni me struktura metalike të bojatisura...

Kishte rënë borë dhe hapat e Xhesikës kumbonin krrap-krrup përanash mështeknave.

© Sami Milloshi