Sy buzëqeshje-poezi
- Nga: Anila Erindi
Sy buzëqeshje
( poezi kushtuar Andrea Bocelli)
Ah sa dua, të kundroj
Magjinë e syve të tu
Atë ditë ishin ulur mbi skrivani
Dhe diçka heshtur
Ndër dhëmbë lexonin
Qerpikët shtrirë
Në një pentagram muzike
Brenda mi-fa-sol nën zë këndonin
Ah sa dua ti kundroj
Ethshëm ata sytë e tu.
Mbështetur ishin diku
Në bulevard
Në cep të “Fifth Avenue”,
Ishte mëngjes krishtlindjesh
Gishtat luanin muzikë
Gëzueshëm,
Sytë të këndonin
Mbi një instrument druri
Pothuajse të raskapitur
Të pangjyrtë
Të ç’përfytyruar nga koha.
Të të them të drejtën
As emrin nuk arrija ta gjeja
Nuk dija si ta quaja
Ndoshta ish kitare....
Eh ç’rëndësi kish instrumenti
Apo si ishe veshur ti
Me rroba të vjetra lypsi
Disa njerëz as kokën s’e kthenin
Ca të tjerë largoheshin, nga ty
Eh, të shihnin me përçmim
Si një tjeter lypës rrugësh
Një tjetër dollar për ty!
Ti nise të këndoje
Lëshoje tingull
Melodie të ndrojtur
Të drithshme
Të ngrohtë
E dalë nga gremina e syve.
Ah ... ata sytë
Mbartnin një magjepsje
Një sharm të rrallë
Një “Je ne sais quoi“
Një pamje të zotërve
Të Jesusit, të shenjtës Mari
Të Shën Peter me flokë të verdhë
E kujt tjetër më thuaj ti...
Ata si dy thëngjij ishin shuar
Brenda në vullkan dashurie
Ndërthurur
Ëmbël me
Buzëqeshjen
Zbritur nga hëna në tokë.
Çdo thëngjill prushi
Thërmohej lehtas nga sytë
Mbi buzët e tij
Dhe atje kthehej
Në një rrokje muzikore
Në varg të thellë me ngjyra tenori
Nën tingullin jashtëtokësor
Që diku e pata ndjerë
Vallë ku?
Atë tingull?
Në hapësirën mes kontinenteve
Në një vijëzim të ndarjes ditë natë
Atje ku mendon, se ndodhesh
Në natën New York-eze
Po realisht je në mëngjes Rome.
Ai tingull buzëqeshje
Kapej mes atij vijëzimi
Ishte një soditje e pafundme...
Syri nuk kish ngopje
Ishte një buzëqeshje e paanë
E pakonturtë.
Si ata sy shtrirë në infinit
Mes imagjinatës të paskajshme
Atje ku del ai zë i pamposhtur
Zhveshur nga rrobat e ajrit
Shponte nerv pikëtakimthi
Thembrën e Akilit
Dhe teksa ethshëm
E dëgjoje
Nuk dihej
Nëse Ti
jetoje...