Krijimtari

Frikacakë trima… - Nga Artan Gjyzel Hasani

Jeta vetë është e paqëllimshme

por ne ia shpikim, ia sajojmë

qindra synime marramendëse fisnike

por në thelb veç një qëllim  është i vërtetë

të mos vdesim

dhe nëse kjo është e pamundur

të vdesim sa më vonë…

dikur na sjellin në jetë

e çfarë ndodh pastaj?

çdo ditë përpiqemi të mos vdesim

të mos sëmuremi,

të mos na zërë korenti

të mos na shtypë makina

të mos na vrasin njerëzit apo vetja

rrufeja

të mos mbytemi në det

të mos mbytemi duke ngrënë peshk

të mos na shkojë kafshata keq

pështyma ose gllënjka

duke pirë verë, ujë, shampanjë

të mos vdesim në gjumë

të mos na pushojë zemra nga ëndrra

për rrogë më të lartë, për më shumë para, pushtet, karrierë

më shumë për të ngrënë e po aq për të dhjerë

më shumë rroba, shtëpi e mobilje

makina, varka, jahte, avionë

dhe prapë vjen nata e biem në gjumë

me frikën se mos na vret ëndrra jone…

biem në dashuri për të pasur një arsye më shumë

për të mos vdekur as kësaj radhe

nga thika dhe korrenti

nëse jeta jonë nuk ka vlerë për ne

nganjëherë ka për tjetrin

e tjetri është çdo gjë që duam

gruaja, e dashura, prindi

shokët e hershëm dhe miqtë e vonë

macja qeni dhe lulet në verandë

çdo gjë që duam dhe urrejmë

e kush më shumë se armiku

ka nevojë për jetën tonë?

hiqemi si njerëz me ideale të larta

zgjatime superiore mendjesh të hapura

që pasi vranë miqësisht njeri-tjetrin

përpiqen të shpëtojnë planetin

por në të vërtetë ne jemi frikacakë të zhurmshëm

milingona të bujshme që kanë veç një qëllim

të shpëtojnë veten

të mos vdesin…

në harmoni me paditurinë tonë

ne nuk bëjmë kurrë pyetje

na tremb përgjigja…

në paqe me veten

ndërrojmë njëmijë lëkurë

kemi frikë nga vdekja

dhe jetojmë nga frika…

(nga vëllimi poetik “LIBIDO” 2024)

©artangjyzelhasani