Krijimtari

Bota, megjithatë, asht e bukur - Nga Sami Milloshi

Jam tue ndje flakët e luftës,

qi po m’sillen rreth shpisë,

t’mdhejtë tue

e kërcnue njani tjetrin,

e unë tue i kqyrë si zavall,

tanë jetën tue dalë

pa zbardhë drita prej shpie

për me mbijetue,

noshta vdekja

ka me qenë fatlume

për mue,

se jeta qe detyrë...

Tash nuk kam kohë

as me llogaritë,

sa t’holla me i da mnjanë,

për shpenzimet e vorrit...

Por Bota, megjithatë,

asht e bukur...

Shife njat tufë fmijësh,

t’diagnostikuem me kancer,

nigjoje korin e tyne n’skenë

tue knue kangën

“Nji milion andrra”,

e besoj se fuqia

e zanit të tyne,

asht ma e fortë

se të gjitha bombat nukleare

qi e mshefin ftyrën

si ftyrat e tiranve

pas maskës...

Shifi, shifi mirë

njato fmijë n’skenë,

nji shi i artë

kullon prej qielli,

me lumni ua lag

kryet e vegjël,

e mue ma fal

nji lot shprese,

se Bota, asht megjithatë,

e bukur...

© Sami Milloshi