Histori

Gjuha si fosile e historisë së popujve - Nga Sulejman Mato

(Hyrja e librit “Vëzhgime mbi lashtësinë e gjuhës shqipe” - Tiranë 2009)

Historia e gjuhës së një populli është e pashkëputur nga historia e popullit që e flet atë gjuhë. Historia e gjuhës së kombit tonë nis me shkrimet e saj të para duke na lënë një boshllëk të ndjeshëm për studime të rëndësishme gjuhësore kur bëhet fjalë për një gjuhë si gjuha jonë e cila i përket rrënjës së gjuhëve të lashta indoeuropiane.

“Gjuha shqipe është gjuha e lashtë e ilirëve”, - ka thënë shkencëtari i madh gjerman, Laibnici. Po ilirët çfarë gjuhe flisnin? Po para ilirëve çfarë gjuhe është folur?

Çfarë gjuhe kanë folur parailirët? Me dëshmitë e pakta gjuhësore që kemi, ne nuk mund të hyjmë në të fshehtat e mëdha, ndonëse duhet pranuar se sot kemi rreth 10,000 mbishkrime që dëshmojnë për një qytetërim të lashtë në trojet e Ballkanit gjer në Apenine, mbishkrime fragmentare përkushtimesh, mbishkrime varresh, mbishkrime emrash nëpër skenat mitologjike, mbishkrime prodhuesish etj.

Edhe pse sistemi i germave është i kuptueshëm dhe tekstet lexohen pa vështirësi, shumë prej mbishkrimeve që sot i quajnë “etruske”, duken të vështira për ata që nuk e njohin gjuhën shqipe. Kjo vjen sepse gjuhësia shqiptare nuk u ka kushtuar vëmendjen e duhur, por ka pritur ç’do të thonë studiuesit e huaj.

Studiuesve të huaj këto tekste përgjithësisht iu duken të vështirë, por disa prej tyre janë aq të pushtuar nga nacionalizmi, sa mbishkrimet e ashtuquajtura “etruske” nuk i konsiderojnë shkrime të një gjuhe europiane, por të një gjuhe të panjohur… sikur pellazgët hyjnorë të kishin zbritur nga qielli.

Janë bërë disa përpjekje për zbërthimin e deshifrimeve të mbishkrimeve mesape, duke kërkuar lidhjen e tyre me gjuhën ilire. Për etnitetin e kombit tonë Çabej ka vënë në dukje se kombi shqiptar “ka pësuar rrudhje dhe jo zgjerim” në trojet e banuar dikur prej ilirëve.

Morfemat janë palca e gjuhëve. Gramatikanët e rinj të cilët janë marrë me afritë e gjuhëve dhe me formimin e familjeve të gjuhëve, nuk e kanë pranuar teorinë e Shlajherit mbi “drurin gjenaogjik”, por përqafuan teorinë e valëve, sipas së cilës, rolin themelor në afrinë e dy gjuhëve e luan afria gjeografike ose më mirë të themi, e luajnë kontaktet gjuhësore të popujve.

Sipas tyre, fjala është një njësi tingullore që shpreh materie ose lëvizje. psh. kur themi “Qeni vrapon”, qeni është materie, ndërsa vrapon shpreh lëvizje.

Tingulli njerëzor ndryshon nga tingujt që lëshojnë kafshët dhe nga tingujt e tjerë frymorë. Humboldi e ka përcaktuar gjuhën si “e dhënë ontologjike”.

Sipas klasifikimit gjenealogjik, shqipja është gjuhë rrënjore. Ajo nuk përfshihet në familje të mëdha gjuhësore, gjendet në rrënjë, e pazhvilluar dhe e papërzier me gjuhët e tjera fqinje. Për cilësitë dhe për lashtësinë e saj gjuha shqipe ka futur në mendime shumë gjuhëtarë.

Humboldi e nxjerr shqipen si gjuhë “rrënjore” të veçuar nga gjuhët e tjera, por, fakeqësisht, ai nuk është marrë seriozisht me shqipen për të parë gjurmët e thella të lidhjeve me simotrën e saj anglishten.

Për linguistin Sepir gjuhët kanë tendencë të shkojnë drejt konvergjimit, si koncept dinamik për gjuhën. Këtë prirje ai e shpjegon me afrinë psikike të njerëzve në subkoshiencë.

Edhe pse faktori gjeografik i lindjes së gjuhëve luan rol të rëndësishëm, ai nuk mund të jetë përcaktues në zhvillimin e saj, krahas faktorit historik.

Gjuhëtarët e rinj mbështetin tezën e dukurisë së “përzierjes së gjuhëve”.

Bonifante thoshte: Frëngjishtja është latinisht + gjermanisht; spanjishtja është latinisht + arabisht; italishtja është latinisht + greqisht; rumanishtja është latinisht + sllavisht.

Shumë gjuhëtarë kanë qenë të mendimit se përzierjet etnike kanë qenë shkaku themelor i ndryshimeve gjuhësore. Si kriter bazë të studimit tonë kemi marrë përqasjen e tipareve të tingujve dhe të kuptimit të tyre në gjuhët e gjalla, duke qenë të bindur se studimet përqasore të tingujve të të folurit të gjuhëve të ndryshme ndihmojnë më shumë për të sqaruar sistemin e morfemave të secilës gjuhë.

“Gjuha nuk është ergon (diçka statike), por energji, - thotë Humboldi, - dhe çdo element i saj ekziston për hir të elementit tjetër”. Ndërsa zërat, sipas Thoma Akuinit (1225-1274), ekzistojnë për të shënuar diçka pa lidhje me kuptimin. Ata janë krijime artificiale njerëzore pa kurrfarë qëllimi.”

Le të marrim një shembull të thjeshtë për të kuptuar sesi dikur, në një fazë të caktuar të zhvillimit njerëzor, fjalën “gur” ose “dru” etniteti shqiptar i ka quajtur të tilla qysh në kohën kur njeriu kishte nevojë t’u jepte tingujve kuptim. Pra, emrat “gur” dhe “dru” i përkasin traditës mijëravjeçare.

Fillimet e gjenezave njerëzore të së folmes së çdo kombi kanë historinë e tyre në bazë të konceptit të tyre për jetën. Kjo temë është tepër e errët për t’u marrë seriozisht me krijimin e fjalëve, por do të mbetemi te ideja e Shlajherit (1827-1868):”Fjala është edhe njësi kuptimore, edhe njësi përfytyruese.

©Sulejman Mato