Rasti Simaku: Ndihmë apo shfrytëzim, ec e merre vesh! - Nga Jeta Dedja
- Nga: Jeta Dedja
Ka njerëz që përjetojnë vështirësi të shëndetit mendor, shpesh edhe fizik dhe në këto kushte bëhen të brishtë, të thyeshëm, të pambrojtur, të ekspozuar ndaj çdo rreziku, me mekanizma mbrojtës të dobësuar. Këta individë shpesh mund të varen nga të tjerë që mund të ofrojnë mbështetje emocionale ose praktike për ta si për shembull një vakt bukë, një strehë mbi kokë, një pallto dimri, një shall a këpucë, një përqafim, apo një udhëtim me makinë. Ndërsa kjo lloj mbështetjeje është thelbësore për të ndihmuar njerëzit të përballen me sfidat e tyre, ekziston një rrezik potencial që marrëdhënia e krijuar të keqpërdoret.
Një “ndihmues” ose “bamirës” ose “njeri i mirë” mund të rrëshqasë gjatë rrugës së ndihmës e të bjerë pré e ndonjë mëkati a akti të padrejtë, dhe të shfrytëzojë marrëdhënien e besimit dhe varësisë që krijon me individin vulnerabël për interesa a nevoja të tij/saj që mund të variojnë nga ato baziket deri tek ato për t’u ndjerë i përmbushur në potencial qoftë ky pozitiv apo kriminal. Dhe shpesh, individët në pozita vulnerabël e kanë të vështirë të kuptojnë që po shfrytëzohen ose e gjejnë veten të paaftë të kundërshtojnë.
Ky lloj shfrytëzimi paraqet një sfidë serioze për shoqërinë pasi për shumë njerëz, është e vështirë të bëhet dallimi midis një akti të mirëfilltë ndihme dhe një forme të shfrytëzimit, meqë perceptimi i vulnerabilitetit ndikohet nga faktorë kulturorë, historikë, personalë apo kolektivë. Shpesh, shenjat e abuzimit janë të dukshme vetëm kur ato bëhen të qarta dhe të pamohueshme, ndërsa në raste të tjera vishen me argumentin makiavelian se “qëllimi justifikon mjetin”.
Një shembull ilustrues është rasti i një ish-këngëtareje të njohur shqiptare, e cila i hidhet publikut krej e zhveshur pavarësisht peliçes së rëndë të hedhur krahëve. Ajo paraqitet në publik në disa video amatore që me sa kuptohet synojnë të ndërtojnë një narrativë traume për konsum mediatik ku në çdo dalje të ish-këngëtares vihet re brishtësia emocionale e saj gjë që ngjall tek shikuesit keqardhje.
Ndihma e vërtetë nuk ka synim evokimin e mëshirës e keqardhjejes tek të tjerët, përkundrazi ajo fokusohet së pari në ngjalljen dhe riaktivizimin e faktorëve personalë dhe në krijimin e një rrjeti mbështetës të qëndrueshëm. Grupi që unë pashë përreth ish-këngëtares dukeshin që ishin të papërgatitur për të menaxhuar të papriturat e një rasti të komplikuar. Pa ia mohuar dëshirën e mirë për të ndihmuar, nuk mund të mos vë në dukje cënimin e dinjitetit të personit vulnerabël dhe nuk mund të mos përmend mundësinë e dëmit psikologjik prej video-ekspozimeve spontane të pamenduara, ku ish-këngëtares i ushqehen mendime jorealiste, pritshmëri për realitete të largëta, standarde të harruara.
Autorët e videove duket se janë kujdesur të ushqejnë edhe publikun me emocione, drama, momente fryme pezull, të krijojnë kampe pro dhe kundër që tundin e shkundin rrjetet sociale. Ata kanë arritur të marrin më shumë klikime dhe sigurisht të gjtha këto në funksion të vetë-vlefshmërisë; “Po, unë vlej!” Edhe pse nuk dua ta besoj, unë dyshoj që efektet e kësaj ndërhyrjeje “live” në jetën e ish-këngëtares të jenë më së shumti pozitive e afatgjata.
Po sikur gjithçka të kthehet atje ku ishte e mos më keq? Cili është plani i autorëve të videove për të parandaluar relapsin, për të ndihmuar vërtet? Sërish reality show, apo GoFundMe?
Prandaj iniciativat ku në qendër vendosen persona vulnerabël të ndërmarra nga individë jo profesionistë, edhe pse mund të fillojnë vërtet prej qëllimeve të pastra, rrezikojnë të kthehen në faktorë risku dhe aspak mbrojtjeje, pra shfrytëzimi, abuzimi, keqpërdorimi dhe jo ndihme. Vetë autorët janë shprehur se “nuk dinë çfarë të bëjnë me rastin”.
Ndihma e vërtetë për raste të tilla duhet të realizohet nga profesionistë të fushës, ku privatësia është parësore dhe ekspozimi publik ndodh gradualisht vetëm pasi individi ka përjetuar një rimëkëmbje të qëndrueshme emocionale dhe mendore.
Si përfundim, kontributi më i mirë dhe më i madh që mund të japë gjithsecili kur dëshiron të ndihmojë dikë, është duke vepruar me ndjeshmëri dhe respekt. Në rastin e sipërpërmendur, dokumentimin me shkrim a me video autorët mund ta bënin, por pëlqimin për publikimin dhe shpërndarjen e tyre duhet ta kërkonin dhe ta merrnin atëherë dhe vetëm atëherë kur profesionistët e fushës të garantonin se të gjitha kriteret e shëndetit mendor rreshtoheshin në një linjë dhe në kahun e shëndetshëm dhe për më tepër pasi të kishin kaluar të paktën 6 muaj nga marrja e ndihmës, përndryshe çdo akt rrezikon të klasifikohet në abuzim.
*Shënim: Ky shkrim është një opinion dhe jo vlerësim klinik i gjendjes së individit të përmendur.
© Flasshqip/Jeta Dedja












