Opinione

Guximi për të kërkuar paqe - Nga Dritan Goxhaj

Një ese e shkurtër për aktualitetin gjeopolitik

Evropa vazhdon akoma të jetë e shokuar nga ngjarjet që rrodhën me pothuajse shpejtësinë e dritës që prej datës 12 të këtij muaji, ditën kur Sekretari i Mbrojtjes i Amerikës, në mbledhjen e Ministerialit të NATO-s në Bruksel e bëri të qartë se Amerika nuk qëndron më pas luftës në Ukrainë.

Klasa politike dhe mediatike europiane është akoma në një gjendje shoku pas fjalimit të zëvendëspresidentit amerikan në Konferencën e Sigurisë në Mynih ku konfirmoi politikisht të njëjtat gjëra të Sekretarit të Mbrojtjes.

Europianët akoma nuk e arrijnë që të kuptojnë se lufta në Ukrainë ka mbaruar. E gjitha kjo vjen pasi baza e qasjes nga adminstrata Biden dhe nga Europa, që nga fillimi i luftës, ishte se Rusia ishte e dobët, ekonomia e saj ishte në një gjendje të keqe, ushtria e saj ishte e pafrytshme dhe se Putini do të rrëzohej nga pushteti dhe do të zëvendësohej nga ndonjë klloun pro-perëndimor.

Por që në fillim u pa që një fitore ushtarake e Ukrainës ishte e pamundur. Çdo ditë pa një disfatë të Ukrainës, për Evropën ishte një ditë tjetër mbijetese për politikat e Perëndimit. 

Zemërimi tani lind nga fakti se pretenca dhe diskursi i fitores përfundimtare perëndimore janë minuar zyrtarisht nga SHBA dhe nuk mund të mbahen më.

Europianët si duket kanë harruar rregullin bazë të politikës që nëse një gjë nuk mund të shkojë përgjithnjë, duhet që një ditë të mbarojë.  Dhe kjo do të thotë se mbështetja perendimore për Ukrainën nuk mundet të zgjasë pafundësisht. Por këtu problemi është se ai vënd ose lider që e thotë i pari këtë realitet, pra që thotë i pari se loja ka mbaruar, duhet të presë që të etiketohet nga të tjerët si “tradhëtar”. Dhe e gjitha kjo për shkak se për vite me radhë, Europa dëgjonte pëshpërimat e Victoria Nuland dhe grupit të saj neokon, zërat e tyre që thoshin: Të negociosh do të thotë të pajtohesh. Të tërhiqesh do të thotë të dorëzohesh. Amerika kurrë nuk do t’i braktiste ata.

Dhe kështu, Europa qëndron e forte - jo nga bindja e vërtetë, por sepse pranimi i gënjeshtrës tani do të ishte më i padurueshëm se disfata vetë. Të hedhësh armët pas kaq shumë guximi do të ishte poshtërimi i fundit. Dhe pas këtyre lëvizjeve shokuese të Trump, Europa nën dirigjimin e Macron vendosi të bëjë atë që di të bëjë më së miri, të organizojë një takim.

Samiti i jashtëzakonshëm në Paris është një përpjekje në minutat e fundit për të rimarrë kontrollin e luftës, dhe për të argumentuar se nuk është Europa ajo që po braktis Ukrainën. Është Amerika.

Dhe e gjitha çka po ngjet sot në mendjen e elitës uuropiane i përngjet asaj që ndodhte në shtator të vitit 1959 në mendjen e elitës politike francize, kur presidenti francez Charles de Gaulle deklaronte se Algjeria do të jetë e pavarur.

Vizioni i De Gaulle nuk ishte thjesht një tërheqje, por një rikalibrim. Ai nuk e hodhi poshtë Algjerinë nga dobësia, por nga bindja se mbajtja e saj do ta shkatërronte Francën nga brenda. Për një pjesë të elitës politike franceze deri te gjeneralët e rangut më të lartë, fjalët e De Gaulle ishin asgjë më pak se tradhëti.

De Gaulle erdhi në pushtet në vitin 1958 nën premtimin se do ta mbante Algjerinë franceze. Tani, njeriu që ata dikur e kishin lavdëruar si shpëtimtarin e tyre po iu ngulte një thikë pas shpine, duke ia dorëzuar Algjerinë armikut - një grupi të shkrumbuar  revolucionarësh të botës së tretë.

Indinjata u thellua në vitin 1960 kur De Gaulle, pa konsultuar drejtuesit e tij ushtarakë apo të ashpër të Algjerisë, filloi negociatat direkte me FLN-në (Fronti për Clirimin Nacional). Për ata që kishin luftuar për “l'Algérie française”, kjo nuk ishte diplomaci - ishte dorëzim.

Gjeneralët e shihnin atë si një tradhëti të veshur me gjuhën e pragmatizmit. De Gaulle, thoshin ata, përveç që i kishte braktisur - ai kishte legjitimuar edhe armikun e tyre.

Gjeneralët, duke refuzuar të pranojnë ripozicionimin e De Gaulle, në prill të vitit 1961, organizuan një grusht shteti ushtarak në Algjeri, me qëllimin për të përmbysur qeverinë franceze. Kur ky dështoi, ata më fanatikët e tyre iu drejtuan terrorizmit, duke krijuar Organisation Armée Secrète - OAS (Organizata Ushtarake Sekrete) dhe tentuan më pas ta vrisnin De Gaulle në vitin 1962 në Paris, nëpërmjet një atentati që dështoi.

Dhe kështu, burokratët e Evropës, ashtu si gjeneralët e dëshpëruar në Algjeri, do të refuzojnë që Ukraina të pranojë dorëzimin, jo sepse besojnë se fitorja është e mundur (pavarësisht se brenda rrethit të tyre ushtarak dhe inteligjent, sigurisht që ka nga ata që e kuptojnë rrugën e luftës me qartësi të ftohtë), por do ta refuzojnë të vërtetën sepse e shohin realitetin si tradhëti dhe çdo pranimin europian i kësaj do të konsiderohej prej tyre si një thikë në shpinë.

Presidenti francez Emmanuel Macron, duke u pozicionuar si lideri de facto i kontinentit, nuk humbi kohë për të thirrur samitin e jashtëzakonshëm.

Nga Berlini në Varshavë, nga Brukseli në Londër, mesazhi është i qartë: Europa nuk duhet të portretizohet si tradhëtarja.

Dhe kështu, në Paris në mbledhjen e radhës, këta burokratë të shndërruar në puçistë do të shtrëngojnë dhëmbët dhe do të bërtasin sfidën e tyre të radhës.

Ata ndoshta do të vendosin një raund tjetër të sanksioneve - edhe pse çdo masë e deritanishme është thyer kundër qëndrueshmërisë ruse si xhami kundër betonit.

Ata do të premtojnë të dërgojnë trupa “paqeruajtëse” në Ukrainë - pa marrë parasysh që duke e bërë këtë pa pëlqimin e Moskës, do të shndërrohen në shënjestra. Edhe pse e dinë se asgjë nga këto nuk ka për të ndryshuar rezultatin e luftës. E gjitha bëhet thjeshtë për të fituar kohë.

Një gjë është e sigurt:  nën ndriçimin e llampave parisiene, liderët e Evropës do të mallkojnë Trumpin, ashtu siç gjeneralët e Algjerisë mallkonin De Gaulle. Ata do ta quajnë atë frikacak, tradhëtar, të dobët dhe të dorëzuar te Putini.

Por kur një luftë humbet, kur fitorja është një mirazh që shkëlqen në shkretëtirën e realitetit - atëherë lind pyetja që në kësi rrethanash kthehet në ekzistenciale - çfarë kërkon më shumë forcë? Guximi për të kërkuar paqe, apo marrëzia e zgjatjes së të paevitueshmes?

© Dritan Goxhaj