Atë që keni mbjellë, atë po korrni o pensionistë - Nga Gëzim Zilja
- Published in Bota Shqiptare

Në këtë vendin tim të vogël plot halle, korrupsion e padrejtësi, ku brezi im i mbi gjashtëdhjetepesëvjeçarëve vijnë rrotull bareve të lagjeve, të fshatrave apo qyteteve me ca qindarka në xhep, duke mallkuar e shfryrë për jetën e qenit endacak, që kanë bërë e bëjnë, për pensionet e ulëta, për qeveritarët hajdutë, drejtësinë e korruptuar, shumica e kalon kohën para ekranit të televizonit me pultin e komandës në dorë. Shikojnë e dëgjojnë me orë të tëra qeveritarët e deputetët, njerëz të pështirë e hajdutë, analistët e vendit të tyre, një lloj specie e pështirë në shërbim të qeverive të korruptuara apo atyre që i paguajnë.
I dëgjoj këta bashkëmoshatarë, që u lindën dhe jetuan 45 vjet nën diktaturë dhe tashmë janë kthyer në kritizerë të sëmurë, llapaqenë e mizantropë. Në atë katrahurë të quajtur diktaturë një pjesë mbështeti diktaturën dhe i shërbeu asaj qenërisht. Të shumtët ulën kokat, iu përshtatën diktaturës dhe nuk u ndjenë. Fare pak që guxuan të kundërshtojnë diktaturën u pushkatuan pa gjyq, u dergjën burgjeve për vite të tëra ose u internuan në fshatra të thella. Sot ky brez i ndarë në dy pjesë të kuq dhe blu telendisen rrugëve e kafeneve, duke sharë qeveritë si shkaktarë të gjendjes së mjeruar, pa menduar se shkaktarët e vërtetë të gjendjes së mjeruar janë ata vetë me mungesën e dijes, të mosveprimit dhe frikës që nuk u ka dalë ende që nga koha e diktaturës.
Ky është një brez në përgjithësi i shkolluar në socializëm, ku lënda bazë ishte edukimi marksist leninist dhe veprat e Enver Hoxhës. Nëse bijtë e tyre i pyesin sot se ç’bëtë ju për ne, ata përgjigjen: Ju shkolluam, ju arsimuam, ju diplomuam, duke sakrifikuar gjithçka mundëm nga jeta jonë. Por nuk u thonë atë të vërtetën tjetër të dhimbshme, që nuk i mësuan të jenë trima, të guximshëm, që jo vetëm ta konstatojnë të keqen por të kenë guximin të ngrihen kundër saj e jo të ulin kokën si ata për 45 vjet me rradhë.
Të shumtën e herëve janë ata vetë që i kanë nxitur e i nxisin fëmijët të emigrojnë. Një pjesë e tyre sot jetojnë jashtë shtetit, emigrantë, duke sakrifikuar ende për të mbajtur e për t’u kujdesur për nipat e mbesat, me sytë e kthyer nga atdheu dhe amanetin: Të më varrosni atje në vendlindje. E dinë shumë mirë se atje në dheun e dashur nuk ka kush kujdeset për varrin, që do ta mbulojnë ferrat e shkurret e do të jenë varrëhumbur edhe në atdhe. Sepse atdheu nxin e shkretohet çdo ditë nga sundimi i qeverive të korruptuara dhe emigrimi i pandalshëm.
Ata që janë këtu shumica me pantallona të viteve tetëdhjetë me atë hekurosjen thikë, e të gjëra ngado si thes vazhdojnë të llapin, të mos veprojnë, të mos ngrihen kundër qeverive për një pension të denjë, të lenë fatin e tyre në duart e të tjerëve, pa kuptuar ( ose guxuar) se fatin e kanë vetë ata në dorë. Ashtu i mësuan dhe fëmijët frikacakë e servilë, që tremben e nuk guxojnë të kundërshtojnë eprorin hajdut e abuzues, qoftë ky një langaraq partie, oligark apo një kriminel lagjeje.
© Gëzim Zilja